Projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE)në Kosovë, me 5-9 tetor, mbajti trajnimin “Integrimi i përspektivës gjinore në zhvillimin e zingjirit të vlerës”, ku morrën pjesë rreth 20 përfaqësues të OJQ-ve, përfshirë edhe Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), së bashku më përfaqësues të sektorit publik dhe agjencioneve dhe organizatave implementuese të projekteve. Trajnimi u udhëhoq nga Joel Alcocer dhe Grania Mackie, dy ekspertë të Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimeve (ITC) të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO). I përshtatur për pjesëmarrësit me përvojë në zhvillimin e zinxhirit të vlerës, trajnimi ofroi mjete për përfshirjen e aspekteve gjinore në analizën e zinxhirëve të vlerave dhe në hartimin e strategjive gjinore që rrisin fuqizimin dhe të ardhurat për të gjitha grupet e interesit .
Zinxhiri i vlerës është një seri e plotë e aktiviteteve të ndryshme nëpër të cilat kalon një biznes në mënyrë që të sjellë një produkt apo shërbim tek klientët e saj. Kjo gjithashtu mund të referohet edhe si modeli se si një biznes merr lëndën e parë si një input, i shton vlerë lëndës së parë duke kaluar nëpër procese të ndryshme, dhe pastaj shet produktin e përfunduar për klientët e saj.
“RrGGK po merr pjesë në këtë trajnim jo vetëm për arsye që po preket çështja gjinore, por edhe sepse fuqizimi ekonomik igrave është një ndër pesë fushat programatike të përfshira në Strategjinë e RrGGK 2015-2018. Qëllimi afat gjatë i këtij programi është: Gratë dhe burrat kanë mundësi të barabarta ekonomike në shtëpi dhe në sferën publike,” tha përfaqësuesja e RrGGK-së në sesionin e hapjes së këtij trajnimi.
- Trajnimi, përmes ofrimit të materialeve të ndryshme dhe shumë punë në grupe për pjesëmarrësit, synonte që:
- Të qartësohen qëllimet dhe objektivat gjinore për zhvillimin e zinxhirit të vlerës duke bërë dallimin në mes të çasjes “mos lëndo” (“do not harm”), përfshirjes gjinore, fuqizimit të grave dhe transformimit gjinor.
- Të pajisë pjesëmarrësit me mjete dhe njohuri për zhvillimin e strategjive të qëndrueshme gjinore që përmbajnë: zgjidhje të ndryshimeve gjinore të afta për marrjen e tregut dhe të intervenimeve gjinore të sakta në kohë të cilat mund t’i sjellin këto ndryshime.
- Të rrisë të kuptuarit e argumenteve të biznesit dhe strategjive relevante kulturore për transformimin gjinor i cili do të përmirësonte cilësinë e rezultateve për gratë dhe burrat në nivele të ndryshme të zinxhirit të vlerave.
- Të pajisë pjesëmarrësit me mjete dhe njohuri për të zhvilluar modele bindëse dhe të qëndrueshme të biznesit për zgjidhje gjinore me qëllim të përmirësimit të efikasitetit të zinxhirit dhe për të promovuar fuqizimin e grave dhe transformimin gjinor.
- Të zhvillojë aftësitë pjesëmarrëse, të përdor mjete efektive të pjesëmarrjes të cilat mund të transferohen për punë gjinore dhe të zinxhirit të vlerës në kontekste dhe kushte të ndryshme organizative.
- Të zhvillojë plane personale të veprimit me qëllim të implementimint të njohurive të pjesëmarrësve, duke iu mundësuar atyre që të sjellin ndryshime në ambientet e tyre të punës dhe të angazhojë edhe të tjerët në këtë verpim, duke i mobilizuar burimet dhe udhëheqësit e tjerë.
Theksi i trajnimit ishte poashtu në diskutimin e racionales së promovimit të barazisë gjinore, duke përfshirë faktet që mundësitë e barabarta gjinore dhe fuqizimi i grave janë qenësore për rritjen ekonomike, efikasitetin e ndërmarrjes, strategjitë e reduktimit të varfërisë, si dhe një synim kyç për angazhimet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat njerëzore të grave dhe drejtësinë gjinore.
Projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE)në Kosovë, financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë (SDC) dhe implementohet nga Swiss contact (partner udhëheqës), Instituti Riinvest dhe PEM Consult, është një projekt i cili punon me sektorin privat dhe synon të rrisë konkurrencën e këtij sektori, dhe të përkrahë zhvillimin ekonomik të grave.