RrGGK Organizon Punëtori mbi Shkrimin e Misioneve të Fuqishme

 Në një ditë tipike vjeshte, në qytetin historik të Prizrenit, u mbajt “Punëtoria mbi shkrimin e misioneve të fuqishme” organizuar nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK). Rreth 30 gra e vajza nga 22 organizata të ndryshme anëtare të RrGGK morrën pjesë në këtë punëtori, të organizuar me 4 shtator.
     Delina Fico Drejtore e Programit për Shoqëri Civile në East West Management Institute si dhe anëtare e Bordit Këshillues në RrGGK, në punëtorinë e parë shpjegoi konceptet kryesore mbi vizionin dhe misionin.
     Ajo fillimisht përkufizoi vizionin e një organizate si “një pamje e përbashkët e së ardhmes që e ndajnë të gjithë anëtarët e organizatës – bota e ndryshme që ju synoni të ndërtoni, si dhe ideali që përpiqeni të realizoni përmes veprimtarisë së organizatës.”?
     Më pas ajo përkufizoi edhe misionin e një organizate si një formulim që “shpreh se çfarë bën organizata për të realizuar vizionin e saj; përcakton karakterin e një organizate dhe vlerat, në të cilat ajo beson; tregon se çfarë bën organizata dhe përse.”
     Për të konkretizuar këtë dallim, ajo morri si shembull vizionin eRrGGK dhe Association of Women in Development (AWID), si dhe misionin e Foundation for Development of Civil Society në Poloni dhe atë tëRrGGK.
     Më tutje, gjatë ligjërimit të saj, znj. Fico duke e cilësuar misionin edhe si “pasaportën e një organizate”, shpjegoi se një formulim i qartë dhe i thukët i një misioni duhet të përmbajë:
1. Emrin e organizatës; 2. Qëllimet e saj; 3. Mënyrën se si vepron organizata; 4. Rezultatet e pritshme të veprimtarisë së organizatës; 5. Grupet me të cilat punon organizata; dhe 6. Vlerat që ajo preferon.
     Së bashku me pjesëmarrëset, ajo analizoi misionin e RrGGK-së, duke i shënjuar dhe treguar se ku gjenden këto elemente brenda këtij misioni:

     
     “Misioni i Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës është të përkrahë, të mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat  e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, etnike, mosha, niveli i arsimit, orientimi seksual dhe aftësia.  RrGGK e realizon këtë mision përmes shkëmbimit të përvojës dhe informatave, partneriteteve dhe rrjetëzimit, hulumtimeve, avokimit dhe shërbimeve.”
 
    “Kjo punëtori ishte më se e nevojshme për ngritjen e kapaciteteve të organizatës time dhe besoj edhe të organizatave tjera prezente,” u shpreh Bahrije Deva, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës për Edukim dhe Përkujdesje të Familjes (SHEPF). “Punëtori të tilla duhet të përsëriten dhe bile të zgjasin edhe më shumë, me qëllim që ne të mund t’i kushtojmë kohë detajeve në këto tema kaq të rëndësishme.”
   Pjesë e kësaj punëtorie ishte edhe puna konkrete në grupe, mbi ri-formulimin apo ri-shkrimin e misioneve të të gjitha organizatave pjesëmarrëse, me ç’rast disa prej tyre edhe u prezantuan e u finalizuan. Megjithatë, u theksua fakti që edhe pse këto misione u ri-formuluan, mbetet një proces i tërë për tu kaluar në rast se ndonjëra prej OJQ-ve vendos të vëjë në përdorim këto misione, përfshirë këtu diskutimet me stafin, anëtaret dhe bordin e OJQ-së dhe procedura të tjera legjislative.
    Në fund të kësaj pjese të punëtorisë, Delina Fico dhe Nicole Farnsworth, me qëllim që t’iu ndihmojnë organizatave anëtare të RrGGK që vërtetë të ndryshojnë dhe fuqizojnë misionet e organizatave të tyre, iu ofruan pjesëmarrëseve mundësinë që deri më 10 shtator të dërgojnë në info@womensnetwork.org ndryshimet potenciale në misionet e tyre. Znj. Fico dhe znj. Farnsworth do të japin sugjerimet e tyre për këto misione dhe më pas nëse organizatat vendosin të bëjnë ndryshime, ato mund të fillojnë procedurat administrative për një gjë të tillë.
     Kjo punëtori u mbështet nga Kvinna till Kvinna dhe East West Management Institute.