RrGGK publikon raportin e ri “Buxhetimi drejt Mirëqenies Sociale”

 Me 4 dhjetor, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) publikoi raportin e ri të titulluar “Buxhetimi drejt Mirëqenies Sociale”. Ky raport, përbën analizën e dytë gjinore të shpenzimeve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS). Analiza ka për synim ta ndihmojë Ministrinë në vlerësimin dhe planifikimin më të mirë të buxhetit të saj nga perspektiva gjinore. 
   Raporti “Buxhetimi drejt Mirëqenies Sociale” poashtu jep përgjigje në pyetjet: A përfitojnë gratë dhe burrat në mënyrë të barabartë prej shërbimeve dhe shpenzimeve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale? Kush mendoni se përfiton më shumë prej pensioneve në Kosovë, burrat apo gratë? Po asistencës sociale? Cila grup-moshë e grave dhe burrave punësohet më shumë prej zyrave të punësimit?  Raporti jep rekomandime konkrete për secilin departament dhe divizion të MPMS, rreth planifikimit më të mirë të buxhetit të saj nga perspektiva gjinore. 
Ky raport analizon përgjegjshmërinë gjinore të dy kategorive ekonomike në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS): pagat dhe mëditjet, si dhe subvencionet dhe transferet. 
   “Ky hulumtim është i rëndësishëm, sepse do të jetë një shembull për organizatat tjera buxhetore”. U shpreh Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Arban Abrashi gjatë publikimit. 
   Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) mundëson planifikim dhe ekzekutim të buxhetit në mënyrë më efektive, efikase, transparente dhe të barabartë. BPGj-ja përfshin integrimin e perspektivës gjinore në proceset dhe dokumentet buxhetore dhe kërkon një analizë të ndikimit potencialisht të ndryshëm që shpenzimet e planifikuara dhe burimet e alokuara kanë te burrat dhe gratë. 
Përtej dallimeve gjinore, buxhetet duhet të kujdesen për nevojat potencialisht të ndryshme të grave dhe burrave të ndryshëm, të referuar në këtë raport si “Gjinia+”. 
    Gratë dhe burrat e ndryshëm mund të kenë prioritete, interesa, dhe nevoja të ndryshme. Për shembull, banorët e fshatrave mund të kenë nevoja që ndryshojnë nga nevojat e personave që jetojnë në qytete; nevojat e grave të reja ndryshojnë nga ato të burrave më të vjetër; nevojat e personave të papunë ndryshojnë nga ato të personave të punësuar; personat e grupeve etnike të ndryshme mund të hasin në probleme të ndryshme. Pasi që qeveria është përgjegjëse për krijimin e politikave nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e saj të ndryshëm, buxhetet qeveritare duhet të sigurojnë që nevojat e ndryshme të qytetarëve të ndryshëm të merren parasysh dhe të trajtohen gjatë planifikimit dhe zbatimit të buxhetit 
Për të lexuar komplet raportin ju lutem klikoni këtu.