Foto: Ilustrim nga protesta e mbajtur më 1 Maj 2019, Prishtinë
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në ditën ndërkombëtare të punëtorëve/eve bënë thirrje për vëmendje më të madhe në të drejtat e punës për gratë dhe përpjekje të vazhdueshme shtetërore në luftimin e diskriminimit në baza gjinore në tregun e punës.
Si pasojë e diskriminimit në baza gjinore, sipas hulumtimeve të RrGK-së, gratë vazhdojnë të përbëjnë vetëm 13.7% të fuqisë punëtore në Kosovë, por edhe kur janë të punësuara, gratë paguhen më pak se burrat për punë të njejtë, mbajnë pozita më të ulëta, privohen nga e drejta për leje të paguar të lehonisë dhe janë të ekspozuara ndaj ngacmimit seksual në vendin e punës. Ky lloj diskriminimi është i theksuar sidomos për gratë të cilat janë të punësuara në sektorin privat, që në të shumtën e rasteve i përkasin sektorit joformal.
Përveç kësaj, gratë për shkak të normave shoqërore janë të ngarkuara edhe me punën e papaguar shtëpiake si kujdesi ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe punëve të tjera të shtëpisë, që u pamundëson atyre që të përfitojnë nga puna që bëjnë.
Këtë vit kur përballemi me pandeminë globale COVID-19, dhe duke qenë që sektorët esencial aktiv për përballjen me këtë pandemi janë të mbipërfaqësuara nga gratë, kjo shkakton shkeljen e të drejtave të grave punëtore duke filluar nga orari i tejzgjatur i punës pa pagesë shtesë, dyfishimi dhe mosadresimi i barrës së papaguar shtëpiake, mungesa e masave esenciale higjienike dhe sanitare e deri te humbja e vendit të punës.
Kështu, është e rëndësishme që qeveria gjatë përballjes me pandminë COVID-19, të implementojë urgjentisht një analizë gjinore gjithëpërfshirese, për të informuar dhe orientuar masat e mëtutjeshme të qeverisë dhe të përfshihen më shumë gra në hartimin e planeve dhe politikave për t’i bërë ballë këtij virusi. Ndërsa, në aspektin afatgjatë, qeveria duhet të sigurojë që gratë punëtore janë të mbrojtura me Ligjin e Punës duke e trajtuar lejen e lehonisë, atë atësore dhe prindërore brenda Ligjit të Punës dhe jo me ligj të veçantë. Poashtu, qeveria duhet të punojë në përmirësimin e reagimit insitucional sa i përket rasteve të raportuara të diskriminimit në baza gjinore në tregun e punës duke rritur numrin e inspektorëve dhe njohuritë e tyre mbi këtë fushë, si dhe të sigurojë trajtim serioz të ngacmimit seksual në vendin e punës ashtu siç parashihet me Kodin Penal të Kosovës.
Prandaj, është e rëndësishme që sot në ditën ndërkombëtare të punëtorëve/eve dhe çdo ditë tjetër, të sigurohemi që institucionet përgjegjëse të mos dështojnë në mbrojtjen e të drejtave të fuqisë punëtore, të avokojmë për krijimin e politikave sociale të cilat fuqizojnë barazinë gjinore dhe të organizohemi për të siguruar një mirëqenie dhe jetë të dinjitetshme për gratë dhe burrat në Kosovë.
*****
Përveç kësaj kumtese për media, RrGK ka shënuar 1 majin edhe duke qenë pjesë e diskutimit “Puna dhe Gratë” të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ). Adelina Tërshani, Koordinatore e Projektit ka qenë ndër folëset e këtij diskutimi ku u trajtua organizimi shoqëror dhe ekonomik, rolet gjinore dhe diskriminimin gjinor në organizimin e punës.
Klikoni KËTU për të parë transmetimin e këtij diskutimi.
*****