RrGK së bashku me anëtare vazhdon të ndihmojë viktimat e dhunës në familje

FOTO: Aktivitet i strehimores se Novëbërdës, 2020 

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) për një kohë të gjatë tashmë punon ngushtë me organizatat anëtare, e veçanërisht me strehimoret, për të fuqizuar gratë dhe vajzat që kanë përjetuar dhunë dhe kërkojnë qasje në shërbime shtetërore. 

Së fundi, këto përpjekje kanë marrë mbështetje përmes programit “Ndalimi i dhunës ndaj grave: Zbatimi i normave, ndryshimi i mendjeve”, financuar nga UN Women dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE).  

Gjatë vitit 2020, RrGK bashkëpunoi me nëntë strehimore të Kosovës, si dhe organizata të tjera të shoqërisë civile që punojnë për të drejtat e grave, për të rritur disponueshmërinë e mbështetjes psikosociale për të mbijetuarat, për t’i referuar ato në institucionet përkatëse, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin e grave për dhunën dhe ku ato mund të gjejnë mbështetje. 

Në rastet kur institucionet kanë bërë shkelje në rastet e dhunës ndaj grave, RrGK dhe anëtaret bashkëpunuan me Institucionin e Avokatit të Popullit (AP), në mënyrë që AP të analizojë parregullsitë dhe t’i trajtojë rastet siç duhet. 

Për një periudhë një vjeçare, RrGK arriti që të ndihmojë mbi 753 gra viktima të dhunës në familje, të cilat morën shërbime të këshillimit, mbështetjes dhe referimit nga organizatat për të drejtat e grave dhe strehimoreve. Shumica e grave ishin shqiptare, mirëpo kishte edhe gra e fëmijë serbë, boshnjakë, romë, egjiptianë dhe ashkali. Gjithashtu, nga ky program u mbështetën edhe disa gra me nënshtetësi të huaj, si dhe gra nga komunitetet LGBTQIA +. 

Për më tepër, gjithsej 948 gra u referuan në institucione të ndryshme, përfshirë Policinë ,Qendrën për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave, Prokurorinë, Gjykatën, ambasada të ndryshme, ‘’ Jetimat e Ballkanit ’’, spital  etj. 15 nga këto raste u referuan tek AP. Nga 15 rastet fillestare, dy raste janë duke u monitoruar nga AP, si dhe më shumë se 800 gra u informuan për rolin dhe përgjegjësitë e IAP. 

RrGK përmes bashkëpunimeve me Qendrën për Studime Gjinore të Kosovës (QKSGJ), Aleancën e Grave për Integrim, Komitetin e Grave të Verbra të Kosovës (KVGK), “HENDIFER” dhe Nas Dom-in, arritën të takojnë gra të ndryshme në të gjithë Kosovën dhe t’i informojnë ato për të drejtat e tyre, si dhe përgjegjësitë e institucioneve. Qëllimi i këtyre aktiviteteve ishte të rrisë ndërgjegjësimin e grave në komunitetet në nevojë, në mënyrë që ato të dinë se çfarë shërbime mbështetetëse ka, si dhe cilat institucione mund t’u ndihmojnë në rast nevoje. Në tërësi,  këto organizata arritën t’i informojnë më shumë se 10,000 anëtarë të komuniteteve, përmes fushatave të ndryshme, disa edhe virtuale. 

Që nga themelimi, RrGK mbetet e përkushtuar për të drejtat e grave dhe një jetë pa dhunë me bazë gjinore, dhe “Jeta pa dhunë me bazë gjinore”, mbetet një nga programet kyçe të RrGK-së. 

Shumë nga rekomandimet që RrGK-ja ka bërë janë marrë parasysh gjatë hartimit të politikave të ndryshme nga qeveritë përgjatë viteve. 

RrGK do të vazhdojë të punojë me gratë për t’i informuar në lidhje me institucionet përkatëse dhe për t’ia mundësuar atyre që të referohen në këto institucione për të luftuar dhunën me bazë gjinore në forma të ndryshme.