RrGK dhe EWLA mbajnë punëtori me anëtaret e RrGK-së lidhur me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara nga perspektiva gjinore

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Shoqata Evropiane e Grave Juriste (EWWA) më 27 janar organizuan punëtorinë “Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë nga perspektiva gjinore”.

Me këtë rast së bashku me organizatat anëtare të RrGK-së të cilat në qendër të punës kanë të drejtat e grave me aftësi të kufizuara u diskutua për aspektin praktik e ligjor të zbatimit të të drejtave të grave me aftësi të kufizuara, si dhe mundësitë për përmirësimin e kësaj gjendjeje. 

Ekspertet e EWLA-së, Katharina Miller, kryetare, si dhe Sylvia Cleff Le Divellec diskutuan mbi diskriminimin në vendet e tyre si dhe mbi atë se çka duhet bërë që të luftohen pabarazitë e shumta gjinore në rrethanat e Kosovës.

Duke qenë se tashmë ky bashkëpunim ka hyrë në vitin e katër, Miller përsëri ka vlerësuar lart mundësinë që të ndajnë përvojën e tyre me anëtaret e RrGK-së, duke mos lënë anash edhe mësimet që ato nxjerrin nga këto diskutime të frytshme.

“Ashtu si edhe në të kaluarën për ne është kënaqësi që të dëgjojmë nga RrGK dhe organizatat anëtare. Sot do të ndajmë shumë gjëra me rëndësi së bashku, e gjithsesi edhe ne do të mësojmë nga ju, përvojat, sfidat e sukseset tuaja”, tha ajo ndër të tjerash.

Përgjatë vitit 2020, RrGK dhe EWLA ishin nikoqire të punëtorisë katër ditore “Të Drejtat e Barabarta dhe Barazia Gjinore për gratë dhe burrat në Kosovë”. Këtu, organizatat anëtare të RrGK-së, anëtaret e Lobit për Barazi Gjinore  dhe Koalicionit për Barazi  si dhe stafi i RrGK-së diskutuan  rreth asaj se si të avokojnë për ndryshim dhe rreth procesit të anëtarësimit në BE, veçanërisht nga perspektiva gjinore.

KËTU mund të lexoni më shumë lidhur me këtë punëtori.

Ky aktivitet u mbajt në kuadër të nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, përkrahur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.