RrGK dhe MASHTI zotohen për bashkëpunim drejt parandalimit të dhunës me bazë gjinore

Më 23 korrik, Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova, Drejtorja e Programit dhe Hulumtuesja Kryesore e RrGK-së, Nicole Farnsworth, si dhe Gjylymser Nallbani, Asistente e Projektit, RrGK u takuan me Zëvendësministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) Edona Maloku-Bërdynaj dhe Asistenten Administrative të Zëvendësministres, Gerta Ymeri.

Gjatë këtij takimi u diskutuan gjetjet dhe rekomandimet e raportit hulumtues “Nga Ligjet në Vepra”, të lansuar në prill të këtij viti, si dhe mundësitë e përmirësimit të bashkëpunimit për parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

Theks i veçantë u vu mbi kurrikulat arsimore në vend dhe rëndësinë e monitorimit të cilësisë së mësimdhënies në parandalimin e përforcimit të stereotipeve dhe roleve tradicionale gjinore.

“Është shumë i rëndësishëm krijimi i bashkëpunimit me MASHTI, së bashku mund të punojmë drejt krijimit të kushteve të duhura për monitorimin e cilësisë së mësimëdhënies nga perspektiva gjinore nëpër shkolla në Komunat e Kosovës”, tha Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së gjatë këtij takimi.

Ndërsa, Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdynaj, u shpreh shumë mirënjohëse për punën e RrGK-së ndër vite, duke shtuar se MASHTI ka kënaqësinë të bashkëpunojë në parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe ngritjen e vetëdijës për format e kësaj dhune.

“MASHTI do të ketë prioritet këtë vit të jap kontribut sa më të madh në trajtimin e problematikave të cilat lidhen me grupet e ndryshme shoqërore në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimin e planit strategjik 2022 – 2026”, shtoi ajo tutje.

Gjetjet dhe Rekomandimet e Hulumtimit për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit janë si vijon:

Gjetjet:

•          Kurrikulat arsimore përfshijnë informacion mbi dhunën në familje, por ndoshta më pak për format e tjera të dhunës me bazë gjinore dhe për transformimin e roleve tradicionale gjinore.

•          Sistemi i Menaxhimit të Informacionit në Arsim e ka bërë më të lehtë raportimin e rasteve të mundshme të dhunës në familje, por personeli arsimor nuk është në dijeni të tij dhe kështu nuk e përdorin atë.

•          Edukatorët kishin njohuri minimale në lidhje me format e ndryshme të dhunës me bazë gjinore dhe si të ndërveprojnë me personat që kanë pësuar dhunë. Kjo, e shoqëruar me normat kulturore, mund të nënkuptojë që edukatorët jo gjithmonë raportojnë dhunën kur ajo ndodh, përkundër detyrimit të tyre ligjor për ta bërë këtë. Kjo sugjeron një nevojë për trajnime të mëtejshme të detyrueshme.

•          Shkollat nuk kanë mjaft arsimtarë ose psikologë për të ndihmuar në mënyrë adekuate fëmijët që kanë nevojë për ndihmë shtesë. Programet e posaçme arsimore të financuara nga qeveria ekzistojnë për viktimat.

Rekomandimet:

•          Të bëhet institucionalizimi i trajnimeve për edukatorët dhe psikologët për format e dhunës me bazë gjinore; si të identifikohen shenjat e dhunës me bazë gjinore; dhe si të ndihmohen dhe si të referohen në mënyrë të përshtatshme fëmijët që kanë pësuar dhunë.

•             Të përfshihet materiali mësimor mbi barazinë midis grave dhe burrave, respektin e ndërsjellë, rolet gjinore jo stereotipike, dhunën me bazë gjinore dhe mënyrën e raportimit të tij në kurrikulat arsimore të përshtatshme për grup mosha të ndryshme, siç parashikohet nga KS.

•          Të ndahet buxhet i mjaftueshëm për rritjen e numrit të psikologëve në shkolla.

Ky takim u mbajt në kuadër të nismës “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) si dhe bashkëfinancuar nnga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).

Lexoni KËTU raportin e plotë “Nga Ligjet në Vepra”.