RrGK dhe UN Women dërgojnë rekomandimet për buxhetin e vitit 2022: Kërkohet përfshirja e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor

Sot, më 8 nëntor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së bashku me UN Women u kanë dërguar letër publike deputetëve të Republikës së Kosovës, duke listuar rekomandimet për Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2022. Adresimi i këtyre rekomandimeve është jetik drejt institucionalizimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.

Duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm legjislativ të Kuvendit të Republikës së Kosovës në përfaqësimin e së mirës së përgjithshme, RrGK dhe UN Women presin që këto rekomandime të shtyhen përpara në seancën e dëgjimit të buxhetit. Rekomandimet janë bazuar në një analizë të mirëfilltë të projektbuxhetit të miratuar nga Qeveria, si dhe në hulumtime dhe analiza të ndryshme gjinore nga RrGK dhe UN Women. Vetëm duke marrë parasysh këto rekomandime mund të sigurohemi që paraja publike të kontribuojë në avancimin e mëtejmë të barazisë gjinore në Kosovë.

Kujtojmë se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor kërkon që të shpenzohen fonde për të adresuar nevojat potencialisht të ndryshme të grave, burrave, djemve dhe vajzave, të identifikuara përmes analizës gjinore. Po ashtu, Ligji për Barazi Gjinore e bën buxhetimin e përgjegjshëm gjinor të detyrueshëm për institucionet publike në Kosovë, duke përfshirë këtu komunat, ministritë, si dhe organizatat e tjera buxhetore.  

Rekomandimet kyçe përfshijnë:

·       Të kërkohet dhe të rishikohet Vlerësimi i plotë i Ndikimit Gjinor i Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2022, në përputhje me standardet e Kosovës për Vlerësimin e Ndikimit Gjinor, ashtu siç kërkohet nga Vlerësimet e Ndikimit Rregullativ.

·       Para se të miratohet ky projektligj, të kërkohet ekspertizë gjinore nga Agjencia për Barazi Gjinore, ekspertë gjinorë të pavarur dhe organizata për të drejtat e grave, duke përfshirë  këtu RrGK-në, si dhe të ftohen këta akterë në takimet e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Transfere, dhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke ditur se nuk ka pasur konsultime të mjaftueshme në lidhje me këtë projektligj. Sipas Rregullores për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimeve Publike, Qeveria e ka obligim të konsultohet me OSHC-të brenda një minimumi prej dy javësh.   

·       Të monitorohet dhe të sigurohet se ka investim në ekonominë e kujdesit, gjë e cila mund të krijojë mijëra vende të reja pune në Kosovë. Krijimi i mundësive të reja për kujdesin ndaj fëmijëve krijon përgjithësisht më shumë mundësi punësimi, u mundëson më shumë grave të punësohen, përmirëson rezultatin mësimor të fëmijëve si dhe kontribuon në të ardhurat e shtetit.

·       Të alokohen fonde të mjaftueshme për zbatimin e Konventës së Stambollit, duke përfshirë punësimin e më shumë punonjësve socialë në mënyrë që të trajtohen më mirë rastet e ndjeshme të dhunës dhe viktimat. Po ashtu, të sigurohet që këta punonjës socialë kanë mjetet dhe materialet e nevojshme për të kryer punën e tyre; si dhe të krijohen shërbime emergjente për rastet e dhunës seksuale.

·       Të sigurohet që shpenzimet e Qeverisë në lidhje me adresimin e pandemisë COVID-19 të bazohen në analiza të mjaftueshme të ndikimit gjinor, për të adresuar nevojat e ndryshme të grave dhe të burrave. Të investohet më shumë në infrastrukturën e duhur sociale, diçka që është edhe rekomandim i raportit të RrGK-së “Pandemia nuk njeh gjini”?.  

Kurse, listën e plotë të rekomandimeve mund ta gjeni së shpejti në faqen e RrGK-së www.womensnetwork.org.

RrGK dhe UN Women mbesin të përkushtuara dhe të gatshme për të mbështetur institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.