RrGK dhe UNFPA lansojnë raportin “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen”

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), më 21 shtator kanë lansuar raportin “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen”, i cili pasqyron shkallën në të cilën Kosova ka harmonizuar kornizën ligjore me Direktivën e Bashkimit Europian (BE) për Balancin Punë-Jetë.

Kjo direktivë ka hyrë në fuqi në vitin 2019 dhe aspektet kryesore të saj trajtojnë pushimin e atësisë, pushimin prindëror, atë për qëllime përkujdesjeje, si dhe fleksibilietin e punës për prindërit dhe kujdestarët.

Raporti trajton ndikimin që Direktiva do të ketë në kornizën ligjore në Kosovë, duke pasur parasysh detyrimet e Kosovës për të harmonizuar legjislacionin e saj me atë të BE-së, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Ky lansim bëri bashkë një grup ekspertësh të cilët diskutuan mbi mundësinë e zbatimit të rekomandimeve në Kosovë, veçanërisht në lidhje me rishikimet e vazhdueshme të Ligjit të Punës.

Leunora Ahmeti-Zylfijaj, Udhëheqëse e Divizionit për marrëdhënie në punë, dialog social, sigurinë dhe shëndetin në punë tek Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, shpjegoi procesin e ndryshimit të Ligjit të Punës dhe mundësitë për harmonizimin e tij me Direktivën për Balancin Punë-Jetë.

“Sa i përket direktivës për të cilën është bërë raporti analitik, ne në atë kohë kemi qenë të rekomanduar nga ekspertët që Kosova duhet të përgatitet për një direktivë të re se në një të ardhme të afërme do të hyj në fuqi. Mund të themi që në fazen aktuale vetëm se e kemi harmonizu pjesën kryesore nga direktiva në Ligjin e Punës. Por, ende jemi duke punuar në ndryshimin e disa pjesëve të tij, posaçërisht në ndryshimin e kohëzgjatjes së kontratave të përkohshme. Por, me bashkëpunimin e shoqërisë civile dhe kontributin e tyre do të përfshijmë edhe pjesët e nevojshme.”

Në ndërkohë, Ahmeti-Zylfijaj theksoi interesimin e kësaj ministrie për të bashkëpunuar  tutje  me  shoqërinë civile rreth finalizimit të Ligjit të Punës.

Pastaj, Syzana Bytyqi Jagxhiu, Zyrtare për Politika, Arsim, Politika Sociale dhe Punësim, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka inkurajuar qeverinë që ta marrin parasysh raportin e prezantuar kur të punojnë sërish në Ligjin e Punës.

“Mendoj që është ni iniciativë shumë e mirë duke pasur parasysh situatën e grave në Kosovë. Ligji aktual implementohet vetëm në sektorin publik dhe është mirë që të mirren parasysh rekomandimet dhe të futen në ligj para se të aprovohet Ligji i Punës”.

Poashtu, Saxhide Mustafa, Koordinatore e Forumit Ekonomik të Grave ka treguar se si Forumi Ekonomik i Grave po kontribon dhe po jep rekomandimet për harmonizimin e ligjit aktual me atë të BE-së.

“Duhet të bëhet një balancim i kompenzimit të lejes prindërore dhe barra të hiqet nga sektorit privat dhe të kaloj në qeveri. Qeveria po e kundërshton këtë por mendoj që me disa analiza duhet të reflektojnë në këtë realitet. Ne, duhet te kemi parasysh se kemi një fuqi punëtore dhe duhet të shohim si t’i aktivizojmë gratë në tregun e punës”.

Tutje, Era Jashari, Këshilltare për PR, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Zhvillim Shërbimesh, Oda Ekonomike e Kosovës ka theksuar rëndësinë që rekomandimet e këtij raporti të specifikohen edhe në kontrata pune. Sipas saj, rekomandimet duhet të specifikohen në kontrata dhe të mbrohen me ligj.

Transpozimi i kësaj direktive me ligjet e Kosovës gjatë procesit të anëtarësimit në BE kontribon drejtpërdrejt në përmirësimin e pjesëmarrjes së ulët të grave në fuqinë punëtore në Kosovë, duke pasur parasysh se vetëm dy në dhjetë gra aktualisht janë të punësuara. Gjithashtu, kjo ndihmon edhe baballarët që të kenë rol më të madh në jetën e fëmijëve dhe e gjithë kjo ndihmon drejt transformimit të roleve dhe marrëdhënieve tradicionale gjinore për një shoqëri më të barabartë.

Autori i raportit, njëherish ekspert ligjor, David JJ Ryan prezantoi rekomandimet kryesore të raportit, të cilat janë si vijon:

  • Të rritet numri i ditëve të pushimit të atësisë (minimumi dhjetë ditë)
  • Të mundësohet pushimi prindëror për të gjithë prindërit (minimumi katër muaj)
  • Të sigurohen normat e larta të zëvendësimit të pagave për të arritur shfrytëzimin e pushimit nga burrat
  • Të merret parasysh financimi i pushimeve që lidhen me familjen përmes një skeme të financimit kolektiv për të siguruar shpërndarje më të drejtë të kostove
  • Të zgjerohen të drejtat e barabarta te të gjitha kategoritë e familjeve
  • Të futet e drejta për pushimin e kujdestarit (minimumi pesë ditë), si dhe;
  • Të krijohen mundësi për fleksibilitet të punës për prindërit dhe kujdestarët.

RrGK dhe UNFPA realizuan këtë raport me mbështetje financiare nga Agjencia Austriake për Zhvillim  (ADA), njësia  operacionale e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim.

Raporti i plotë do të publikohet së shpejti në web faqen e RrGK-së, në gjuhën shqipe, angleze dhe atë serbe.