RrGK kundër uljes së dënimit për Nuhi Mavrovqanin, u bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të mos heshtin

Download File

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për vendimin e  sotëm të Gjykatës së Apelit për të ulur dënimin e përjetshëm në 25 vjet për Nuhi Mavrovqanin, i cili në korrik të vitit 2020 vrau bashkëshorten e tij S.M me shufër metalike.

Kjo vrasje shkundi edhe një herë realitetin e secilës prej nesh që përpiqemi çdo ditë që dhuna dhe vrasjet ndaj grave të marrin fund. Vrasja e S.M fatkeqësisht edhe një herë dëshmoi se dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një prej formave më pak të ndëshkueshme të dhunës.

E megjithatë, kur vrasësi u dënua me burgim të përjetshëm në dhjetor të vitit 2020 nga Gjykata Themelore në Gjilan, u duk sikur drejtësia bëri një pjesë të punës së vet, duke e dënuar kriminelin, edhe pse jo duke e parandaluar krimin.

Mirëpo, sot përsëri po dëshmojmë se kur flasin për vrasjet e grave, drejtësia po mbyll sytë.

Andaj, përmes kësaj kumtese, RrGK i bën thirrje Gjykatës Supreme si instancë më e lartë se ajo e Apelit që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe dënimin ta kthejë në atë paraprak, pra në dënim me burgim të përjetshëm.

Vetëm kështu ne do të bindemi se vendi ynë, institucionet e drejtësisë e ato të mbrojtjes janë në krye të detyrës sa herë që trajtohet dhuna e vrasjet e grave.

RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private.

Drejtësi për gratë e vrara! Drejtësi për secilën grua të vrarë e të dhunuar!

Më poshtë mund të gjeni hulumtimin e fundit të RrGK-së, lidhur me dhunën ndaj grave dhe reagimin institucional ndaj saj.

Nga Ligjet në Vepra