RrGK lanson raportin “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë”

Prishtinë, 7 prill 2022

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian (BE), Agjencionin Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), Institucionin e Avokatit të Popullit, sot lansoi botimin e dytë të raportit hulumtues “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë”.

Raporti analizon dhe identifikon mangësitë në kuadrin ligjor përkatës sipas ligjeve të BE-së për barazi gjinore; përhapjen dhe natyrën e diskriminimit me bazë gjinore lidhur me punësimin; shkallën në të cilën njerëzit kanë paraqitur ankesa për këtë diskriminim; si i kanë trajtuar institucionet rastet e tilla, si dhe rekomandimet për secilin aktor përkatës.

Të gjeturat e raportit u prezantuan nga bashkë-autorët Adelina Tërshani dhe David JJ Ryan. Disa nga të gjeturat përfshijnë:

  • Kuadri ligjor dhe politik lidhur me diskriminimin me bazë gjinore dhe punën në Kosovë duket mjaft i plotë, veçanërisht duke pasur parasysh se shumica e ligjit është hartuar në përputhje me ligjin e BE-së. Megjithatë, disa mbivendosje dhe paqartësi kërkojnë trajtim.
  • Shumica e grave dhe burrave të anketuar janë të vetëdijshëm se diskriminimi gjinor është i paligjshëm. Përderisa vetëdijesimi duket se është rritur që nga viti 2018, njohuria se ku të raportohet diskriminimi me bazë gjinore ka mbetur e ulët. Disa e dinin se një diskriminim i tillë duhet të raportohet tek punëdhënësit ose Inspektorati i Punës, përderisa një pakicë kanë ditur për institucionet e tjera që merren me raste të tilla.
  • Institucioneve përgjegjëse për trajtimin e diskriminimit me bazë gjinore në punë u kanë munguar të dhënat për prevalencën e saj. Megjithatë, dëshmitë tregojnë se ekziston diskriminimi gjinor, veçanërisht në punësimin, promovimin, pushimin e lehonisë dhe ngacmimin seksual në punë.
  • Përderisa policia dhe prokurorët duket se kanë njohuri në përgjithësi për përgjegjësitë e tyre në trajtimin e diskriminimit gjinor në punë, vetëm disa raste të tilla penale janë raportuar, kështu që ata kishin mungesë në përvojë praktike dhe jurisprudencë.
  • Gjykatat ende kanë praktikë të paktë gjyqësore përkatëse, ndërkohë që pak gjyqtarë dukeshin se kishin njohuri për kuadrin përkatës ligjor.
  • Ndonëse inspektorët e punës prireshin të kishin njohuri për Ligjin e Punës, ata kishin raste të rralla prandaj dhe nuk dukej se e konsideronin si prioritet trajtimin e diskriminimit me bazë gjinore; ekzistonin disa raportime për trajtimin e papërshtatshëm të rasteve nga ana e inspektorëve.

Rekomandimet kryesore përfshijnë:

  • Rëndësia e ndryshimit të Ligjit të Punës, Ligjit për Barazi Gjinore dhe Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për të zvogëluar mbivendosjen, qartësimin e procedurave dhe qartësimin e sanksioneve për diskriminimin gjinor;
  • Nevoja për të përfshirë në Ligjin e Punës lejen e lehonisë, atësisë, prindërore dhe lejen e kujdestarëve në përputhje me Direktivën e BE-së për Balancin Punë-Jetë;
  • Nevoja për më shumë inspektorë të punës, veçanërisht gra, të cilët janë trajnuar për njohjen dhe trajtimin e diskriminimit gjinor në punë;
  • Nevoja për bashkëpunim ndërinstitucional ndërmjet institucioneve relevante dhe shoqërisë civile, duke përfshirë sindikatat, në ngritjen e vetëdijes së grave dhe burrave lidhur me atë që përbën diskriminim të bazuar në gjini dhe si ta raportojë atë; dhe përkrahjen e personave që kanë përjetuar një diskriminim të tillë në kërkimin e drejtësisë.

Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së tha se RrGK që nga vitit 2016 vazhdimisht lobon që të ndryshohet Ligji i Punës.

“Tani, duhet urgjentisht, s’ka më arsyetime që të amdendamentohet ligji i Punës, sepse është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse diskriminon te gjithë qytetarët, por në veçanti gratë. Duhet të mundësohet edhe shtimi i numrit të inspektorëve në tregun e punës,” tha Rogova duke iu bërë thirrje të gjithë atyre që janë të diskriminuar që të raportojnë rastet.

AnnaCarin Platon, Shefe e Sektorit Politik, Ekonomik, për Integrime Evropiane dhe për Komunikim me Media në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se duhet që të analizohen rrënjët dhe shkaqet e diskriminimit. Ajo po ashtu solli ndër mened se ka ende shumë pabarazi ndërmjet nënave dhe baballarëve sa i përket kujdesit për fëmijët.

“Unë … mezi pres punët tona të përbashkëta në të ardhmen. Zyra e BE-së në Kosovë do të mbetet e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën për ta zvogëluar hendekun e diskriminimit me bazë gjinore në punësim,” tha Platon.

Në përgjithësi institucionet e pranishme u pajtuan me rekomandimet e RrGK-së dhe shfaqën përkushtimin e tyre për t’i zbatuar ato.

Avokati i Populit, Naim Qelaj vlerësoi të gjeturat e raportit si dhe punën hulumtuese dhe krahasimore, që sipas tij, japin më shumë siguri për hartimin e politikave.

“Sa i përket diskriminimit me bazë gjinore përkundër përpjekjeve dhe masave për avancimin e pozitës së grave, ka ende diskriminim pothuajse te gjitha fushat. Sfidat, pengesat dhe diskriminimi i shprehur ne këto fusha u shpërfaq me shume në vitin e kaluar. Ne 2021 Avokati i Popullit ka pranuar 138 ankesa për cenim të të drejtave në punë, gratë janë më të pafavorshme sesa burrat, diskriminimi gjinor i pranishëm si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat dhe ato rrallë denoncohen për shkak te mosnjohjes së të drejtave dhe praktikave gjyqësore.”

Tutje, Drinas Zeqiraj, Ushtrues Detyre i Divizionit për Hartimin dhe Harmonizimin e Legjislacionit në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve tha se shumë nga rekomandimet janë adresuar, sidomos ato që kanë të bëjnë me Direktivën e BE-së për Balancin Punë-Jetë.

“Ne po punojmë në finalizimin e projektligjit të Punës, është me rëndësi që të ketë të përfshirë edhe dialogun social. Në planin legjislativ pritet të miratohet në fund të qershorit 2022. Mund të ndodhë që të shtyhet për një kohë, por është urgjencë e domosdoshme që të finalizohet dhe të dërgohet për miratim sa më shpejt.”

Agim Millaku, ushtrues detyre si kryeinspektor i Punës tha se pajtohet me përfundimet e raportit të RrGK-së.

“Kapacitetet e Inspektoratit të Punës janë të mangëta, si në kuptimin e organizimit administrativ, por edhe numrit të inspektorëve të punës. Pajtohem me rekomandimet e raportit dhe konsideroj se Inspektorati i Punës duhet të punojë më shumë në mënyrë që trajtimi të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët sa i përket punësimit.“

Hulumtimi ka përfshirë metoda të përziera, duke përfshirë shqyrtimin dhe analizën e kuadrit ligjor dhe raporteve të ndryshme, pyetësorin online dhe intervistat. Ky botim i dytë i raportit përfshin periudhën që nga viti 2018, dhe kështu shërben si përditësim i hulumtimit bazë me po të njëjtin titull të botuar në vitin 2018.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.

Për më shumë informata, ju lutemi na kontaktoni në: media@womensnetwork.org ose +381 (0) 38 245 850