RrGK mbajti mbledhjen e parë me anëtaret për vitin 2022

Rreth 80 përfaqësuese të organizatave anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) u mblodhën përmes platformës Zoom, në mbledhjen e parë të anëtareve të RrGK-së për vitin 2022, të mbajtur më 7 shkurt.  

Kryetarja e Bordit të RrGK-së, Nermin Mahmuti, njëherish Drejtore Ekzekutive e Fondit për Zhvillim Komunitar, në fjalën e saj hapëse ka vlerësuar punën e bërë ndër vite nga RrGK, organizatat anëtare dhe bordi.  

“Fatmirësisht, për mua do të jetë shumë e lehtë, në aspektin e asaj çka ne si Bord jemi të obliguar ta bëjmë, për arsye se Rrjeti tanimë është një organizatë që ka arritur shumë suksese dhe ka arritur një autoritet jashtëzakonisht të madh dhe ka arritur që të jetë një ndër organizatat kyçe të cilat kanë ndryshuar edhe politikbërjen dhe kanë ndikuar që misioni të zbatohet mund të them edhe në përpikëri.”, tha ajo. 

Tutje, ajo falënderoi kryetaren e deritanishme të Bordit të RrGK-së, Ariana Qosaj-Mustafa për kontributin e dhënë.  

Mahmuti ka shprehur gatishmëri që të bashkëpunojë e të ofrojë ekspertizën e saj për zbatimin e Strategjisë së RrGK-së për vitet 2019-2022, e cila përfundon këtë vit.  

Rëndësinë e zbatimit të përbashkët të Strategjisë e përmendi tutje edhe Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova. 

“Ky vit ka me qenë edhe më i suksesshëm, sepse motivimi për anëtaret tona po vazhdon, dhe po vazhdon bashkëpunimi përmes Fondit të Grave të Kosovës. Unë edhe gjithë stafi jemi jashtëzakonisht të lumtura që mundemi me i ndihmu organizatat tona anëtare që së bashku ta zbatojmë strategjinë e cila përfundon këtë vit, strategji të cilën e kemi zbatuar mbi 70% bashkërisht. E po ashtu edhe këtë vit do të arrijmë ta zbatojmë plotësisht këtë strategji”.  

Në vazhdim, Gentiana Murati Kapo, Menaxhere e Granteve, RrGK, njoftoi pjesëmarrëset lidhur me nominimin e anëtareve të reja të Komisionit për Vlerësimin e Granteve në kuadër të Fondit të Grave të Kosovës (FGK). 

 “Përderisa jemi duke punuar për rundin e 17-të të Fondit të Grave të Kosovës, unë sot do të doja t’ua rikujtoj se FGK-ja që prej themelimit në vitin 2012 ka qenë krahë mbështetës për ju si organizata anëtare, e këtë natyrisht do të vazhdojmë ta bëjmë çdo herë, me bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj”, tha ajo. 

Ashtu si çdo herë tjetër, ky takim shërbeu si pikë takim i organizatave anëtareve të RrGK-së për të shpalosur arritjet e bëra përgjatë vitit të kaluar për avancimin e barazisë gjinore, si dhe planet për këtë vit.  

Një ndër pikat e rëndësishme që u diskutua është koordinimi për aktivitetit e shënimit të Ditës Botërore të Gruas- 8 Marsit. 

Po ashtu, u diskutua se RrGK së shpejti do të punojë në hartimin e re të Strategjisë, e cila do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat anëtare. Kujtojmë se në nëntor të vitit 2021 organizatat anëtare të RrGK-së u takuan për të draftuar së bashku Strategjinë Feministe të RrGK-së.  

Ky takim u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.