RrGK mbajti mbledhjen e rregullt të anëtareve të Kuvendit

  Me 11 shtator 2017, në Prishtinë u mbajt mbledhja e radhës dymujore e anëtareve të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), ku morrën pjesë rreth 42 përfaqësuese të organizatave anëtare të RrGK-së, anëtare të Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përkrahës të tjerë të RrGK-së. 
            Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK, bëri hapjen e mbledhjes duke u uruar mirëseardhje të gjithë të pranishmëve. Ajo njoftoi anëtaret për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Bordit, Besnik Leka, i cili më pastaj u shpreh “që gjithmonë ka përcjellë punën e Rrjetit dhe është një privilegj të jetë pjesë e këtij Rrjeti”. 
        Më pas, znj. Rogova u shpreh e pakënaqur dhe e zhgënjyer me numrin e grave përfaqësuese në qeverinë e re, ku nga 21 poste ministrore vetëm 2 u takojnë grave. Duke ndarë të njejtin mendim, anëtaret vendosën që së bashku si Rrjet të reagohet për këtë çështje.  
          Ndër të tjera ajo tregoi se si gjithmonë ka pasur tri ëndërra dhe nga ato dy janë realizuar ndërsa njëra pjesërisht. Qysh nga koha kur ka filluar punën si Motrat Qiriazi, organizatat e grave nuk kanë pasur qasje tek donatorët për arsye të ndryshme. Ëndërra e parë është realizuar përmes ngritjes së kapaciteteve të organizatave anëtare të RrGK, përmes Fondit të Grave të Kosovës i cili shërben si një mekanizëm për t’i fuqizuar këto organizata. Edhe ëndërra e dytë, që të angazhohen më shumë burra në lëvizjen e grave në Kosovë, poashtu është realizuar. Ndërsa, ëndërra e tretë, është solidariteti në mes të grave, jo vetëm nga organizatat jo-qeveritare por edhe të grave nga sfera politike. Fatkeqësisht ky solidaritet akoma nuk është në nivelin që dëshirojmë ta shohim, prandaj duhet të punojmë më shumë që të tregojmë solidaritet me njëra-tjetrën. 
Poashtu foli për mbledhjen e Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë, e cila u mbajt me 8 shtator në Deçan dhe treguar se ishte një takim shumë i fuqishëm ku gratë nga shoqëria civile dhe gratë nga politika diskutuan për strategji konkrete avokuese drejt arritjes së barazisë gjinore në nivel komunal. 
      Në vazhdim, znj. Rogova bëri raportimin gjashtëmujor narrativ për anëtaret e RrGK për zhvillimet e aktiviteteve sipas programeve të Strategjisë së RrGK për periudhën janar-qershor, duke u pasuar nga Besa Shehu, Menaxhere Financiare dhe Administrative, e cila prezantoi raportin gjashtëmujor financiar. 
       Alba Loxha, Koordinatore pë Marrëdhënie me Publikun, prezantoi draft rregulloren e anëtarësisë, e cila së bashku me anëtaret u vendos të bëhet e veçantë vetëm për anëtarësi. Gjatë prezantimit anëtaret dhanë komente dhe sugjerime të ndryshme, mirëpo u vendos që të konsultohen modelet e rregulloreve pas rishikimit të Ligjit për Lirinë dhe Asociimin e OJQ-ve. 
       Tutje, Magbule Elezi nga Shoqata e Mamive të Kosovës, anëtare e RrGK, ngriti shqetësimin e saj për mbylljen e materniteteve në komuna të ndryshme, për arsye se nuk ka gjinekolog të mjaftueshëm. Ajo tha se duhet të promovohet roli i mamive, pasi që materniteti mund të mbahet edhe pa gjinekolog atëherë kur përfshihen edhe mamitë. Në këtë mënyrë mund të përcjellet gjendja e nënës edhe nëse situata keqësohet, pasi që ato mund të ofrojnë ndihmën e nevojshme. 
         Bahrije Deva, nga Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes, anëtare e RrGK, foli për një projekt që janë duke zbatuar këto ditë që ka të bëjë me vetëdijsimin e vajzave për vizita gjinekologjike si dhe për shërbimet që u ofrohen lehonave nga institucionet e shëndetësisë. Ajo u shpreh që duhet të avokohet që minimum pesë javët e para lehonat duhet të vizitohen nga motrat e shëndetësisë. Poashtu ajo ngriti çështjen e përfshirjes së psikologëve në tërë këtë proces, për shkak të Depresionit pas Lindjes tek gratë, gjë që nuk trajtohet me seriozitet. 
        Duke i cilësuar shumë të rëndësishme këto çështje, u vendos që të formohet Grupi Avokues për Shëndetësi, që së bashku të avokojnë për qasjen e grave në kujdes cilësor shëndetësor në Kosovë. Grupi u takuan me 12 shtator për të diskutuar mënyrat e avokimit për shqetësimet e ngritura. 
      Ndërkaq, Feride Rushiti, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimit e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), anëtare e RrGK, ndau me të pranishmet informata lidhur me procesin dhe gjendjen e përgjithshme të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillimisht përgëzoi Rrjetin për arritjet e bëra deri më tani. “Rezultatet konkrete po shihen qysh tani, dhe shpresojmë që qeveria e re do ta ketë si prioritet ndarjen e pensionit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Komisioni dhe sekretariati që tanimë janë zgjedhur, është zgjedhë pa ndërhyrje politike”, u shpreh znj. Rushiti. Ajo shtoi që shoqëria civile ka avokuar që ky komision fillimisht të trajnohet për tre muaj, kryesisht për konceptet e dhunës seksuale në bazë të konventave ndërkombëtare, ligjeve vendore, pasojave, mënyrat e intervistimit e kështu me rradhë. 
Kjo mbledhje u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.