RrGK pjesë e panelit mbi ndikimin e paraqitjes publike të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës

Me 5 dhjetor 2018, në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka organizuar ngjarjen: “Jehona e zërit të saj: Ndikimi i paraqitjes publike të zonjës Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

Pjesë kryesore e kësaj ngjarje ishte lansimi i video-mesazhit sensibilizues realizuar nga Vasfije Krasniqi-Goodman ku ajo edhe një herë bën thirrje për një mbështetje më të fuqishme për të gjithë të mbijetuarit.

Në panelin e përbërë nga Feride Rushiti, drejtore e QKRMT-së; Igballe Rogova, drejtore e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK); Kadire Tahiraj, drejtore në Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG); Mirlinda Sada, drejtore e Medica Kosova; Linda Gusia, sociologe; Ramize Murtezi Shala, gazetare dhe Fitim Fluga, nga Bashkësia Islame e Kosovës; paraqitën opinionet e tyre për ndikimin e rrëfimit të Vasfijes në fuqizimin e vet të mbijetuarve.

Tutje, zonja Rushiti tha se “Viti 2018 ka qenë vit historik për të mbijetuarat e dhunës seksuale”, duke theksuar që gjatë këtij viti ka filluar t’iu njihet statusi viktimave të dhunës seksuale dhe ka filluar kompensimi ndaj tyre.

Ndërkaq, Igballe Rogovanë fjalën e saj përshëndeti përkrahjen familjare nga ku edhe buronte guximi i paraqitjes publike të Vasfijes. Duke përmedur se nuk dihet për shumë e shumë dosje të rrëfimeve të grave që nga paslufta, ajo kujtoi edhe aktivisten Sevdije Ahmeti, si e para që ngriti këtë çështje publikisht, duke dërguar gra për të dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës.

Duke qenë se diskutimi kishte për qëllim sensibilizimin e vazhdueshëm të qytetarëve të Kosovës për të mbijetuarit, adresimin e diskriminimit, stigmës, si dhe kërkesën për qasje në drejtësi të të mbijeturave të dhunës seksuale dhe integrim të barabartë në shoqëri, këtë e theksuan edhe panelistët njëzëri.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të fushatës “Bëhu zëri im”, që zbatohet nga QKRMT dhe Medica Gjakova dhe mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë dhe Medica Mondiale në Gjermani.