Me një laramani të pasur artistike, që njëkohësisht prek shqetësimet dhe temat aktuale në vend, e edhe në rajon, këtë vit me moton ‘e ardhmja’, Festivali DokuFest për herë të 16-të i dha edhe njëherë një frymë ndryshe Prizrenit, respektivisht gjithë qytetarëve të Kosovës.
I pasuruar me filma, ngjarje, e panele diskutimesh të ndryshme, me 10 gusht u mbajt edhe panel diskutimi për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave në Kosovë, organizuar nga UN Women në bashkëpunim me Dokufest.
Duke ndarë përvojat personale dhe përgjatë aktivizmit për barazi gjinore, marrëdhëniet midis grave dhe burrave në Kosovë, të drejtat e grave dhe edukimin e gjeneratës së re drejt këtyre çështjeve, panelin e pasuruan folësit nga profile të ndryshme si: Flora Macula, udhëheqëse e zyrës UN Women në Kosovë; Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK); Besnik Leka, activist për të drejtat e grave, minoriteteve, të rinjëve dhe fëmijëve; Daniëlle Bremer, regjisore e filmit “I zoti I shtëpisë”; Gjejrane Lokaj, udhëheqëse e “Iniciative e Grave” në Dragash; Ruken Tekes, aktiviste për të drejtat e njeriut në Turqi; dhe Valdete Idrizi, drejtore ekzekutive e Platformës CiviKos.
Gjatë fjalimit të saj, znj. Rogova ndau me të pranishmit përvojat për aktivizmin e viteve të ’90-ta, atëherë kur me shoqatën “Motrat Qiriazi” shkonin dhe avokonin për arsimimin e vajzave, si mjeti më i rëndësishëm i një shoqërie të barabartë. Ajo kujtoi se “Për të arrit qëllimet tona gjithmonë jemi takuar edhe me burrat, qoftë në rrugë, qoftë në autobus, a shkollë”, duke theksuar se barazi gjinore mund të kemi vetëm atëherë kur punojmë bashkë.
Ndërkaq, për rëndësinë e arsimimit foli edhe Gjejrane Lokaj, përndryshe edhe protagonistja e filmit “I zoti i shtëpisë” me regji të Daniëlle Bremer dhe producent Edon Rizvanolli, i cili u shfaq në kuadër të DokuKino pas panelit. Gjejranje ishte ajo vajza e guximshme që në vitet e ’70-ta iku nga shtëpia natën vonë për të ndjekur ëndrrën e saj, të shkollohet.
“I zoti i shtëpisë”, duke u referuar kryefamiljarit që vendoste kur vajza duhet me e ndalë shkollën e kur me u martu, sjell gjithë rrugën e mundimshme që Gjejranja ka bërë vetëm për tu bërë më vonë shembull për shumë vajza e gra, përfshirë edhe motrat e saj, të cilat më vonë u shkolluan dhe me shumë admirim e quajnë “e zonja e shtëpisë”.