Sot, me 10 qershor nga ora 10:30-12:30, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka prezantuar, raportet “Financimi i përgjegjshëm gjinor i shoqëruesëve për personat me aftësi të kufizuara” si dhe “Aspekti gjinor dhe aftësia e kufizuar në ligjin e BE-së: një qasje ndërthurëse për informimin e kornizës ligjore të Kosovës”.
“Financimi i përgjegjshëm gjinor për shoqëruesit e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë”, është një përmbledhje e politikave që synojnë të informojnë dhe të plotësojnë diskutimet rreth proceseve të rëndësishme aktuale politike dhe ligjore, duke përfshirë këtu Projekligjin për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar; Projektligjin për Shërbimet Sociale dhe Familjare; Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuar nga Shteti; dhe Ligjet vjetore për Ndarjet Buxhetore në Republikën e Kosovës.
Ndërsa, raporti “Aspekti gjinor dhe aftësia e kufizuar në ligjin e BE-së: një qasje ndërthurëse për informimin e kornizës ligjore të Kosovës”, ofron një përmbledhje të politikave dhe analizon kornizën ligjore të Bashkimit Evropian (BE) në lidhje me aftësinë e kufizuar dhe aspektin gjinor, duke paraqitur rekomandime për Kosovën dhe kornizën e saj ligjore.
Ngjarja filloi me mirëseardhje nga kryetarja e Bordit të RrGK. Nermin Mahmuti e cila tha se “Barazia do të thotë trajtim i drejtë për të gjithe, duke iu afruar të gjithëve të njëjtat mundësi.” Tutje ajo shtoi se “Kur flasim për barazi, qëllimi ynë përfundimtar është drejtësia. Barazia arrihet vetem atëhere kur të gjithë marrin atë që u nevojitet”.
Gjatë këtij takimi, u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet kryesore të dalura nga dy raportet. Pjesë e diskutimit ishin zyrtarë nga Ministria e Punës, Financave dhe Transfereve, përfaqësues nga institucioni i avokatit të popullit, përfaqësues të BE-së në Kosovë si dhe organizata për të drejtat e grave që në qendër të punës kanë gratë me aftësi të kufizuara.
Gjetjet dhe rekomandimet e këtyre analizave u mirëpriten nga Zyra e BE-së në Kosovë. Përfaqësuesi I këtij institucioni, Jarmo Helppikangas tha se “Meqenëse qeveria duhet të bëjë vlerësime të ndikimit të barazisë gjinore për të informuar ligjet dhe politikat e reja, këto dokumente duhet të ofrojnë mbështetje të rëndësishme në këtë drejtim. Analizat dhe gjetjet janë shumë në kohë pasi ato mund dhe duhet të përdoren për të informuar ligjet e ardhshme që po finalizohen aktualisht nga qeveria.”
Rekomandimet e këto dy analizave gjithashtu u mirëpriten edhe nga Ministria e Fiancave, Punës dhe Transfere (MFPT), më saktësisht nga Departamenti ligjor për punë dhe mirëqenie sociale. E pranishme në diskutim ishte znj. Minire Begaj, shefe e Departamentit Ligjor për Punë dhe Mirëqenie Sociale, MFPT, e cila i përgëzoi autoret e dy analizave dhe tha se “Këto të gjetura dhe rekomandime do të prezentohen edhe para grupit punues i cili është duke hartuar projektligjet e përmendura më lartë”.
Rekomandimet kryesore përfshijnë:
- Të ndryshohen ligjet ekzistuese në mënyrë që ato të përfshijnë përkufizime të qëndrueshme të njohura ndërkombëtarisht të aftësisë së kufizuar:
- Ligji Nr. 02/L-17 për Shërbime Sociale dhe Familjare
- Ligji Nr. 2003/23 mbi Penzionet për Aftësinë e kufizuar
- Ligji Nr. 05/L-021 mbi Mbrojtjen ndaj Diskriminimit
- Ndarjet vjetore të Buxhetit në Republikën e Kosovësd
- Të sigurohet që këto ligje të përdorin një qasje ndërthurëse ndaj gjinisë, duke marrë parasysh ndërthurrjen me përkatësinë etnike, moshën dhe faktorë të tjerë që mund të pengojnë çasjen në shërbimet e duhura të kujdesit.
- Para se të ndryshohen ligjet ekzistuese dhe të miratohen projektligjet e ardhshme, të sigurohet që është bërë Vlerësimi i Ndikimit Gjinor si pjesë e Vlerësimit të Ndikimit Rregullativ i cili kërkohet sipas Strategjisë 2. 0 për Rregullim më të Mirë për Kosovën.
- Të rishikohen kriteret për asistencën personale dhe nevojat kryesore:
- Të specifikohet në legjislacionin dytësor përvoja minimale, ekspertiza dhe kualifikimet që duhet të kenë shoqërueit për të ofruar shërbime të kualifikuara, të tilla si trajnimi i detyrueshëm dhe testimi i kualifikimit.
Raportin e plotë “Financimi i përgjegjshëm gjinor për shoqëruesit e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë” mund ta gjeni KËTU.
Raportin e plotë “Aspekti gjinor dhe aftësia e kufizuar në ligjin e BE-së: një qasje ndërthurëse për informimin e kornizës ligjore të Kosovës” mund ta gjeni KËTU.
Këto analiza mbështeten nga Bashkimi Evropian, si dhe nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).
Për prononcime për media lidhur me këtë temë ju lutemi na kontaktoni në media@womensnetwork.org, dhe ernera@womensnetwork.org.