RrGK: Publikimi i fotografive të dhunimit, shkelje e dinjitetit të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë 

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) më 16 maj përmes një kumtese për media ka shprehur shqetësim të thellë në lidhje me publikimin e një fotografie ku disa ushtarë përdhunojnë një grua në sy të familjarëve, të bërë publike nga deputetja Flora Brovina 

RrGK konsideron se Brovina me këtë veprim ka shkelur parimin e dinjitetit të të mbijetuarave, duke kujtuar se përmes kësaj fotografie është zbuluar edhe trupi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Poashtu, zonja Brovina ka shkelur Nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.  

Kjo fotografi ku gruaja dhunohet para familjarëve të saj, përveç që është shumë e rëndë dhe shqetësuese, mund të ndikojë edhe në përkeqësim të gjendjes emocionale dhe psiqike të të mbijetuarës. Për më tepër, mund të shërbejë si dekurajim për raportim nga të mbijetuarat tjera të dhunës seksuale, dhe të shërbejë si precedent i rrezikshëm se çka i pret të gjitha gratë dhe vajzat që raportojnë dhunën seksuale. 

RrGK përmes kësaj kumtese kërkon nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që në përmbushje të obligimeve në kuadër të mandatit të tyre të kërkojnë llogari nga Gjykatat, si ato vendore po ashtu edhe ato ndërkombëtare për mungesën e reagimit institucional dhe trajtimin dinjitoz të rasteve të dhunimeve seksuale të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.