Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i është bashkuar protestës së 1 Majit në Ditën Botërore të Punëtorëve dhe Punëtoreve, duke kërkuar mundësi të barabarta punësimi me pagë që mundëson jetë me dinjitet, sigurim shëndetësor, siguri në punë, si dhe punë pa diskriminim për të gjithë/a pa dallim, etnie, moshe, orientimi seksual apo identiteti gjinor.
Protesta filloi në ora 12:00 në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, për të vazhduar duke parakaluar te institucionet të cilat kanë përgjegjësi për respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimin e kushteve në të cilat punohet në Kosovë, sidomos në sektorin privat. Kështu protestuesit marshuan te Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Policia, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Inspektorati i Punës, për t’u kthyer në fund në vendtakimin në shesh.
“Për shoqëri të lirë e të barabartë”, “Me shami pa shami punën e kryj”, “Veshja jem, trupi jem”, “Ne punojmë, ata fitojnë”, “1 Maji nuk është festë, është protestë”, “Punë pa diskriminim”, ishin vetëm disa nga sloganet që protestuesit mbanin në duar.
Siç edhe ka shpalosur raporti hulumtues “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë” i lansuar në prill të këtij viti nga RrGK në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian (BE), Agjencinë për Barazi Gjinore dhe Institucionin i Avokatit të Popullit, gratë punëtore janë veçanërisht të shtypura, në krahasim me burrat.
Adelina Tërshani, Koordinatore e Projektit në RrGK, njëherit ndër organizatoret e protestës, teksa ka shpalosur mbarëvajtjen e këtij organizimi, ka treguar po ashtu pse është e nevojshme që shoqëria kosovare të vazhdojë të kërkojë më shumë të drejta për klasën punëtore, si dhe respektimin e të drejtave ekzistuese.
“Gratë punëtore në Kosovë po paguhen më pak se burrat, po ngacmohen në vende të punës, po u shkelet e drejta për pushim të lehonisë dhe për kontratë të punës, ato po diskriminohen veç pse janë gra. Andaj, sot kemi vendosur të protestojmë e jo të festojmë”, ka thënë Tërshani.
Kujtojmë se momentalisht në Kosovë vetëm 12.3% e grave janë të punësuara, andaj RrGK duke iu bashkuar kësaj proteste ka ngritur zërin kundër diskriminimit me bazë gjinore për pranim në punë, kundër pabarazive për promovim në punë, kundër pagës së pabarabartë për punë të njejtë, kundër shkeljes së të drejtës për pushim të lehonisë, kundër ngacmimeve seksuale në punë, kundër kushteve të dobëta të punës, si dhe kundër shkeljes së kontratës së punës.
Ndër përkrahësit e tjerë të kësaj proteste ishin; Kolektivi i Qendrës Sociale Sabota, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës, Termokiss, Kongresi Kombëtar i të Rinjve Kosovë.