RrGK takohet me Haxhiun, zotohen për luftimin e dhunës ndaj grave

Më 14 prill, Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova, Kryetarja e Bordit të RrGK-së, Ariana Qosaj-Mustata, si dhe Adelina Berisha, Menaxhere e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore, RrGK u takuan me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe këshilltaren e saj, Nazlie Balaj.  

Gjatë këtij takimi u diskutua më gjerësisht rreth aktiviteteve që së bashku mund të realizohen drejt arritjes së barazisë gjinore.  

Përfaqësueset e RrGK-së kanë njoftuar Haxhiun se RrGK ka përfunduar raportin hulumtues mbi dhunën me bazë gjinore në Kosovë, përmes të cilit janë vlerësuar arritjet dhe mangësitë drejt zbatimit të plotë të Strategjisë Kombëtare kundër Dhunës në Familje dhe Planit të Veprimit 2016-2020. 

Prej këtij hulumtimi RrGK ka vënë re se janë disa gjëra prioritare për ta luftuar dhunën me baza gjinore, për përshpejtimin e së cilave kontributi i Ministrisë së Drejtësisë do të jetë qenësor: 

  • Të fillojë amandamentimi i Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, i cili duhet të harmonizohet me kërkesën e Konventës së Stambollit, tashmë të zbatueshme në Kosovë. Pra, kjo nënkupton që ligji i amandamentuar të përfshijë të gjitha format e dhunës me baze gjinore, sipas kërkesës së Konventës së Stambollit. 
  • Të fillojë draftimi i Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit kundër dhunës në familje 2021-2025, e cila në harmoni me ndryshimet në ligj, do të jetë gjithëpërfshirëse për të trajtuar edhe format e tjera të dhunës me bazë gjinore. 
  • Të diskutohet rreth asaj se si mund të fuqizohet dhe të institucionalizohet më mirë pozita e Koordinatorit Nacional.   

Duke vlerësuar kontributin e RrGK-së në parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave, Ministrja Haxhiu u zotua për angazhim institucional dhe fuqizim të mekanizmave  kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.  

Haxhiu tutje njoftoi se Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë e ka vendosur prioritet adresimin e dhunës në familje dhe se do të angazhohet që edhe  institucionet e drejtësisë t’i trajtojnë me seriozitetin e duhur çështjet që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe atë në baza gjinore.  

Ministrja Haxhiu po ashtu theksoi se në të gjitha këto procese, kontributi dhe ekspertiza e RrGK-së gjithmonë do të jetë e mirëseardhur.   

Lexo KËTU lidhur me takimin e mëparshëm me Haxhiun.