RrGK tejet e shqetësuar për sulmin seksual ndaj të miturës në shkollë

Download File

13 qershor 2023, Prishtinë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dënon ashpër incidentin e fundit të sulmit seksual ndaj një të miture nga arsimtari i saj në një shkollë në Deçan. Jemi thellësisht të shqetësuara dhe të indinjuara nga një shkelje kaq e rëndë e besimit dhe e sigurisë së vajzave tona të reja.

Ky akt i tmerrshëm i sulmit seksual shërben si një kujtesë e fortë se ne duhet t’i japim përparësi mbrojtjes së vajzave dhe të miturve brenda shoqërisë sonë, madje edhe brenda në shkolla.

Është koha e fundit që shoqëria dhe institucionet të marrin qëndrim kundër këtyre krimeve dhe të sigurojnë që autorët të marrin dënimin e merituar, pa asnjë kompromis.

Është dëshpëruese të shohësh që këto sulme ndaj vajzave ndodhin pikërisht para syve tanë, ndërkohë që institucionet shpesh nuk arrijnë të japin drejtësinë dhe masat e duhura parandaluese. Ngjarja në institucionin arsimor ku nxënësit duhet të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur nxjerr në pah një situatë alarmante. Nuk mund të mos pyesim veten se sa raste të tjera nuk raportohen.

RrGK u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që këtë rast ta trajtojnë si çështje me prioritet të madh, ashtu siç duhet me çdo rast tjetër të ngacmimit dhe sulmit seksual. Shkollat, në veçanti, duhet urgjentisht të krijojnë mekanizma të fuqishëm për të trajtuar rastet e dhunës, ngacmimeve dhe sulmeve seksuale.

Kujtojmë se në raportin “Nga Ligjet në Vepra: në Monitorimi i reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë”, RrGK ka këto rekomandime për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit:

  • Të mbahen  trajnime për edukatorët dhe psikologët për format e dhunës me bazë gjinore; si të identifikohen shenjat e dhunës me bazë gjinore; dhe si të ndihmon të referohen këtë raste.
  • Të përfshihet materiali mësimor mbi barazinë midis grave dhe burrave, respektin e ndërsjellë, rolet gjinore jo stereotipike, dhunën me bazë gjinore dhe mënyrën e raportimit të tij në kurrikulat arsimore të përshtatshme për grupmosha të ndryshme, siç parashikohet nga Konventa e Stambollit.
  • Të ndahet buxhet i mjaftueshëm për rritjen e numrit të psikologëve në shkolla.

Së fundi, është jetike të theksohet se ashtu si në rastet e tjera të dhunës me bazë gjinore, RrGK do të kërkojë drejtësi dhe do të monitorojë nga afër këtë rast dhe masat e marra. Ne kërkojmë largimin nga puna si mësimdhënës dhe të njejtit t’i shqiptohet dënimi sipas Kodit Penal të Kosovës, i cili parasheh dënim 1 deri në 7 vjet.