RrGK u bën thirrje deputetëve për të mos e kaluar Ligjin aktual të punës në Parlament

Të nderuar deputetë,

Po ju shkruajmë në lidhje me projektligjin aktual të punës në parlament.

Rrjeti i Grave të Kosovës, konsideron se projektligji aktual i punës përveq që përjashton çdo mënyrë të rregullimit të pushimit të lehonisë, pushimit atësor dhe pushimit prindëror, ai nuk specifikon diskriminimin në kontekstin e punësimit. Ky projektligj në formatin e tij aktual le të pambrojtura gratë në tregun e punës dhe ka mungesë të theksuar të perspektivës gjinore mes grave dhe burrave, sidomos në kontekstin e punësimit.

Të nisur nga ky shqetësim dhe me shpresën që do të hasim në bashkëpunimin tuaj, ne kërkojmë që ju të merrni parasysh rekomandimet tona të mëposhtme, për amandamentimin e Ligjit të Punës, në mënyrë që të qartësohen dispozitat mbi diskriminimin në punë, dhe rastet e tilla të mund të trajtohen në kuadër të Ligjit të Punës, ndaras Ligjit Nr. 05/L -021 Për mbrojtjen nga diskriminimi.

Propozim

Të bëhet një ndarje më logjike e kuadrit ligjor, drejt adresimit të mos harmonizimit aktual të kuadrit ligjor që mbivendosë definicione dhe sanksione të ndryshme, të cilat, tani për tani kontribuojnë në konfuzion dhe pasiguri ligjore.

 

  • Të konsiderohet ndryshimi i Ligjit të Punës për të trajtuar në mënyrë specifike diskriminimin vetëm në kontekstin e punësimit, duke shtuar një nen si në vijim:

Neni xx , Llojet e diskriminimit në punë

 

  1. Llojet e trajtimit të pabarabartë të punëtorëve janë:

 

  • Diskriminimi i drejtpërdrejtë në punë konsiderohet kur një kandidat për punë apo punëtor trajtohet në mënyrë më pak të favorshme sesa trajtohet, ka qenë i trajtuar ose do të trajtohet një kandidat pune apo punëtor tjetër në një situatë të krahasueshme, sipas një apo më shumë nga bazat e përcaktuara në nenin një (1) të Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi;

 

  • Diskriminimi i tërthortë konsiderohet kur, një dispozitë, kriter apo praktikë e paanshme në dukje e vë, e ka vënë apo do ta vë kandidatin për punë apo punëtorin në pozitë të pabarabartë krahasuar me të tjerët, sipas një apo më shumë nga bazat e përcaktuara në nenin një (1) të Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi, përveç në rastet kur dispozita, praktika apo kriteri i tillë mund të arsyetohet në pikëpamje objektive me një qëllim legjitim, dhe mjetet për arritjen e qëllimit janë të përshtatshme dhe domosdoshme;

 

  • Ngacmimi konsiderohet diskriminim, kur një sjellje e padëshirueshme (që përfshin por, nuk kufizohet në sjellje të natyrës së padëshirueshme seksuale dhe/apo psikologjike, që ka për qëllim apo pasojë shkeljen e dinjitetit të personit dhe krijimin e ambientit frikësues, armiqësor, degradues, nënçmues apo fyes) mbi bazat e përcaktuara në nenin një (1) të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi;

 

  • Nxitja për të diskriminuar konsiderohet diskriminim mbi bazat e përcaktuara në nenin një (1) të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, dhe përfshin çdo promovim të urrejtjes kundrejt kandidatit për punë apo punëtorit kur ajo bëhet me dashje”.

 

Ne Nenin 5, Ndalimi i të gjitha llojeve të diskriminimit, te shtohet edhe nje paragraf qe specifikon si ne vijim:

“Ndalohet diskriminimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i të gjithë personave, burra dhe gra, gjatë procesit të punësimit, avancimit në punë dhe avancimit profesional, nëse për atë vend pune secili nga ta është i aftë ta kryejë punën në mënyrë adekuate.”

Justifikim

Shtjellimi i mbrojtjes nga diskriminimi specifikisht në kontekstin e punësimit, me anë të përmendjes, ndër të tjera, të formave të diskriminimit, siç janë ngacmimi, ngacmimi seksual dhe nxitja për të diskriminuar; të shquhet diskriminimi i drejtpërdrejtë nga ai i tërthortë; dhe të aplikohen bazat e tjera të renditura për diskriminimin.

Dispozitat aktuale të Ligjit të Punës që kanë të bëjnë me diskriminimin janë minimaliste. Edhe pse parashikohet që Ligji nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi zbatohet drejtpërdrejt në marrëdhëniet e punës, megjithatë, përpos kësaj reference e kryqëzuar duhet të ketë një mbrojtje më të detajizuar nga diskriminimi, specifikisht në kontekstin e punësimit. Mënyra e vetme se si aktualisht përmendet diskriminimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë në LP, është kundrejt personave me aftësi te kufizuara. Ligji nuk përmban dispozita të tjera specifike lidhur me shkaqet e tjera të diskriminimit.

 

Prandaj, është e nevojshme të shtjellohet mbrojtja nga diskriminimi specifikisht në kontekstin e punësimit, me anë të përmendjes, ndër të tjera, të formave të diskriminimit, siç janë ngacmimi, ngacmimi seksual dhe nxitja për të diskriminuar; të shquhet diskriminimi i drejtpërdrejtë nga ai i tërthortë; dhe të aplikohen bazat e tjera të renditura për diskriminimin.

Shpresojmë në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj,

Sinqerisht,

Rrjeti i Grave të Kosovës

 

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) është një rrjet prej më shumë se 143 organizatave të grave të të gjitha grupeve etnike nga mbarë Kosova që avokon në emër të grave kosovare, në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Misioni i RrGK është i fokusuar në fuqizimin ekonomik të grave dhe rolin e tyre në vendimmarrje.Letër_Ligji-i-Punës_Rekomandimet-mbi-Diskriminimin