Të shqetësuara nga komentet e fundit drejtuar Flutura Kusarit, juristes të së drejtës së medias dhe aktivistes për të drejtat e njeriut, ne Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dënojmë gjuhën e përdorur kundër saj dhe shprehim mbështetjen tonë të plotë për Fluturën dhe secilën grua që merr guxim të jetë aktive në sferën publike duke u bërë zëri i qytetarëve.
Znj. Kusari avokon për lirinë e shprehjes dhe të mediave dhe për mbrojtjen e gazetarëve në Kosovë, Shqipëri dhe në mbarë Evropën. Si këshilltare e lartë ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) në Leipzig, ajo udhëheq programin për ndihmë juridike përmes së cilit janë mbështetur qindra gazetarë në vende të ndryshme. Ajo po ashtu shërben si eksperte në Komisionin Evropian dhe Këshillin e Evropës dhe bashkëpunon ngushtë me organizata të njohura ndërkombëtare për lirinë e medias. Znj. Kusari ka inicuar programin Gazetarët në Rezidencë përmes së cilit ka sjellë në Kosovë dhjetëra gazetarë nga Ukraina dhe Afganistani në bashkëpunim me qeveritë kosovare dhe gjermane dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës. Ajo punon ngushtë me gazetarët në Kosovë dhe avokon vazhdimisht për sigurinë e tyre.
Rrjeti i Grave të Kosovës vlerëson guximin, profesionalizmin dhe përkushtimin e saj në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ndërsa, u bëjmë thirrje personave publik që ta shfrytëzojnë hapësirën që u jepet për të promovuar dhe fuqizuar gratë e jo t’i dekurajojnë ato me komente seksiste vetëm pse nuk pajtohen me mendimet e tyre.
Gratë janë pjesë e diskursit publik prandaj ato duhet të ndihen të sigurta dhe të mbrojtura në mënyrë që ta japin kontributin e tyre drejtë zhvillimit të një shoqërie demokratike dhe të barabarta.