Më 16 prill organizata Ruka Ruci mbajti sesion informues me gratë serbe në Uglarë të Fushë Kosovës, me qëllim njoftimin e tyre me iniciativën “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.
Kjo nismë katër vjeçare zbatohet nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së bashku me Ruka Ruci, Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK), Shoqata Evropiane e Grave Juriste (EWLA), si dhe mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
Në këtë takim të pranishme ishin përfaqësuese nga komunat e Graçanicës dhe Fushë Kosovës, si dhe bashkëpunëtore e vullnetare të Ruka Rucit.
Fillimisht Nevenka Rikalo, Drejtore Ekzekutive e Ruka Rucit, ka ndarë me të pranishmet informatat më të rëndësishme për këtë nismë, duke përfshirë këtu objektivat dhe rezultatet që presin nga realizimi i kësaj iniciative të përbashkët.
Ajo tutje ka folur edhe për rëndësinë që ka arritja e solidaritetit ndërmjet grave.
“Ka mungesë të solidaritetit mes grave dhe vajzave, andaj edhe ekzistojnë rrjete në mënyrë që së bashku t’i arrijmë qëllimet tona. Rrjeti i Grave të Kosovës, Koalicioni për Barazi (KB) dhe Lobi për Barazi Gjinore (LBGJ) janë ndër këto rrjete”, u shpreh Rikalo.
Suzana Emini, Asistente e Koordinatores në Fondacionin Kvinna till Kvinna ka përmendur se është koha që gratë të kenë pozita politike dhe zë në proceset vendimmarrëse.
“Në zgjedhje është shumë dallim i madh [ndërmjet burrave dhe grave], burrat marrin më shumë para dhe mbështetje, ndërsa gratë kanë mungesë kontaktesh dhe nuk mund ta bëjnë këtë”, u shpreh Emini.
Kurse Snezana Stanojeviq nga Komuna e Fushë Kosovës duke u pajtuar për mungesën e përkrahjes ndaj grave, ka shtuar se është koha për pjesëmarrje më të lartë të grave në politikë.
“Gratë në politikë nuk janë vetvetja, janë zakonisht marioneta të dikujt. Ne gjithmonë po gjejmë arsye që të mos kyçemi, por tani ka ardhë koha të kyçemi në politikë dhe për këtë na duhet mbështetje’, tha ajo.
Tutje pjesëmarrëset diskutuan për format më të mira të përfaqësimit publik të grave, duke ndarë së bashku tiparet që e bëjnë një grua figurë publike të suksesshme.
Aktivitetet “derë më derë” me qytetarët, ndarja e granteve për organizatat anëtare të RrGK-së, janë vetëm disa nga pikat që gratë e pranishme diskutuan, për të njohur më mirë planin e iniciativës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.
Takime të tilla do të mbahen në vazhdim edhe në Komunën e Graçanicës, Novobërdës, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Obiliqit si dhe Ranillugut.
Kjo iniciativë mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
LEXO EDHE: Iniciativa e re synon të fuqizojë pjesëmarrjen e grave në politikë.