Sot, Friends of Europe organizuan Samitin e tyre vjetor BE-Ballkani Perëndimor 2024: “Një Qasje e Ripërtërirë ndaj Ballkanit Perëndimor” e organizaur në Bruksel dhe online.
“Samiti BE-Ballkani Perëndimor 2024 synon të riformësojë dialogun mbi zgjerimin e BE-së duke adresuar procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe inovative.”
Drejtoja e Programit dhe Udhëheqësja e Hulumtimit në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), Nicole Farnsworth, foli gjatë panelit të dytë: “Zhbllokimi i i Potencialit Ekonomik: Rritja dhe Integrimi përmes Anëtarësimit në BE”, mbi politikat që vendet e Ballkanit Perëndimor mund të adoptojnë drejt një zhvillimi ekonomik më të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës gjinor.
Në mes të diskutimeve rreth Planit të Rritjes së Komisionit Evropian (KE), ajo theksoi se ky Plan nuk përmend barazinë gjinore, duke lënë integrimin e asaj që quhet “gender mainstreaming” të Agjendave të Reformave në dorën e qeverive të Ballkanit Perëndimor. Përpjekjet e BE-së për integrimin e barazisë gjinore kërkojnë që të përfshihen objektiva dhe qëllime të qarta për të matur përparimin në promovimin e barazisë gjinore në çdo sektor dhe fushë reformash, duke mundësuar monitorimin dhe vlerësimin e progresit. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e përfshirjes së detyrimeve për buxhetimin përgjegjës ndaj gjinor në Kuadrin Financiar Shumëvjeçar të ardhshëm të BE-së (KFS).
Gjatë fjalimit të saj, Farnsworth elaboroi katër politika të përgjegjshme gjinore që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i prioritizojnë për të siguruar zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës dhe për t’u harmonizuar me kriteret e Anëtarësimit në BE:
1. Institucionalizimi i analizës gjinore si pjesë e të gjitha proceseve të hartimit të politikave dhe programeve, duke siguruar që politikat dhe programet të zhvillohen bazuar në nevojat reale të grave dhe burrave të ndryshëm.
2. Institucionalizimi i buxhetimit të ndjeshëm ndaj gjinisë si pjesë e reformave të vazhdueshme të menaxhimit financiar, që lidhen me kriteret e Anëtarësimit në BE. Kjo do të kontribuojë në barazi përmes shpërndarjes së bazuar në nevoja të burimeve publike, si dhe në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në shpenzimet publike. Kjo do të ishte në përputhje me angazhimet e BE-së dhe qeverive të BP-së për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Kornizën Gjinore të PEFA-s për Shpenzimet Publike dhe Llogaridhënien.
3. Miratimi dhe zbatimi i Direktivës së BE-së për Balancën Punë-Jetë, duke ofruar mundësi më të balancuara për gratë dhe burrat në kujdesin për fëmijët dhe të afërmit.
4. Investimi në rritjen e disponueshmërisë së shërbimeve të kujdesit, në përputhje me Objektivat e Barcelonës të BE-së. Në Ballkanin Perëndimor, kërkesa për shërbime kujdesi tejkalon ndjeshëm furnizimin. Publikimi i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) Kush kujdeset? ka treguar se rritja e disponueshmërisë së kujdesit për fëmijët mund të krijojë mijëra vende të reja pune; të shndërrojë punën e papaguar të grave në punë të paguar; dhe të rrisë pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore, si punëmarrëse, por edhe duke mundësuar më shumë gra të punojnë. Ndërsa Agjenda e Reformës së Kosovës ka ndarë burime për zgjerimin e disponueshmërisë së kujdesit për fëmijët, vendet e BP-së mund të investojnë ende më shumë për të plotësuar nivelin e nevojës.
RrGK së shpejti do të publikojë komentarin e saj mbi Agjendën e Reformës së Kosovës. Qëndroni të gatshëm gjatë vitit 2025 për rekomandimet për Kornizën e Mesme të Shpenzimeve (MFF) dhe financimet e jashtme, të përgatitura së bashku me Rrjetin e Vëzhguesve të Buxheteve Gjinore.