ShMAKS avokon për përmirësimin e kujdesit riprodhues të gratë dhe vajzat

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Shoqata e Mamive të Kosovës (ShMAKS) edhe gjatë muajit shkurt ka vazhduar aktivitetet e ndërmarra si pjesë e nismës  “Përmirësimi i kujdesit shëndetësor riprodhues të gratë dhe vajzat”, mbështetur nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK).

Më 3 shkurt, Kryetarja e ShMAKS-it, Magbule Elezi u takua me Kryetaren e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, me të cilën diskutoi për shëndetin riprodhues të grave dhe vajzave, si dhe për rolin e rëndësinë e mamive në përmirësimin e shëndetit riprodhues në Kosovë.

Pjesë e diskutimi ishte po ashtu edhe gjenda e tanishme e materniteteve në Kosovë.

Kurse, më 14 shkurt, Elezi  takoi Zëvendësen e Avokatit te Popullit, Edona Hajrullahun.  Në këtë takim, Hajrullahu shprehu zotimin e Institucionit të Avokatit të Popullit për t’i ndihmuar nismat e ShMAKS-it drejt fuqizimit të rolit të mamive në sistemin shëndetësor.

“Pavarësisht progresit në përgjithësi, qasja në kujdesin shëndetësor themelor, riprodhues dhe gjinekologjik cilësor mbetet i kufizuar në Kosovë. Çdo çdo qytetar/e ka të drejtë të ketë qasje të barabartë në shërbime shëndetësore, dhe ne si shërbyes të tyre duhet të angazhohemi që të përmirësojmë sistemin shëndetësor dhe të jemi më afër tyre në mënyrë që të marrin shërbimet e nevojshme në vendet ku ata jetojnë”, vlerëson Elezi.

Këto takime u mbajtën në kuadër të nismës “Përmirësimi i shëndetit riprodhues të gratë dhe vajzat”, mbështetur nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.