Shoqata e të Shurdhërve në Prizren

Nëse kontrollet gjinekologjike paraqesin probleme për shumicën e grave kosovare, gratë e shurdhëra përballen me probleme shtesë. Ato duhet t’i tejkalojnë stereotipet negative të përhapura për gratë që vizitojnë gjinekologët, sidomos ata meshkuj, si dhe t’ua shpjegojnë problemet e tyre shëndetësore gjinekologëve duke përdorur gjuhën e shenjave. Madje edhe atëherë, gratë e shurdhëra nuk mund ta kuptojnë diagnozën ose udhëzimet e gjinekologëve për trajtim pa ndihmën e një interpreti.

Shoqata e të Shurdhërve në Prizren është përpjekur ta eliminojë këtë sfidë duke angazhuar interpretë të gjuhës së shenjave për t’i shoqëruar gratë e shurdhëra tek gjinekologu. Nisma e tyre, e mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (1,312 €), ka ndihmuar pesë gra që të dalin nga shtëpitë e tyre të pavarura nga anëtarët e familjes, disa prej tyre për herë të parë. Për më tepër, më shumë se 25 gra të reja kanë mësuar teknikat për tejkalimin e sfidave me të cilat ato përballen në jetën e tyre të përditshme.

Përmes vizitave gjinekologjike u zbulua se një grua e shurdhër kishte probleme shëndetësore. Me anë të kësaj vizite, ajo ishte në gjendje ta identifikojë këtë problem në fazën e hershme. Vizitat e rregullta tek gjinekologu, me ndihmën e Shoqatës, i kanë mundësuar asaj ta trajtojë këtë problem dhe të shërohet shpejt.

Më tej, përmes kësaj iniciative, Shoqata avokoi me sukses kështu që Zyrtari Komunal për Barazi Gjinore dhe Drejtoria e Shëndetësisë institucionalizuan shërbimet e gjuhës së shenjave. Shumë shpejtë, Komuna punësoi një interpret i cili tani ofron shërbime të interpretimit në Kuvendin Komunal dhe në kuadër të Drejtorisë së Shëndetësisë dy herë në javë.

Megjithatë, arritja e këtyre sukseseve nuk ishte e lehtë. Gjatë kësaj nisme, gratë janë përballur me një mori sfidash, duke përfshirë diskriminimin nga kolegët meshkuj brenda Shoqatës së tyre. Për këtë arsye, rezultat tjetër i kësaj nisme ishte që gratë e shurdhëra në korrik të vitit 2013 vendosën të themelojnë Shoqatën e Grave të Shurdhëra në Prizren. Shoqata e re ka për qëllim të fuqizojë gratë e shurdhëra dhe të kujdeset për sfidat unike me të cilat ato ballafaqohen për shkak se janë gra me nevojë.
“Unë doja që ato të kenë më shumë hapësirë, pasi që kjo hapësirë nuk ofrohej në OJQ-në tjetër deri më tani,” tha

Krenare Ajdini, një interprete e cila i kishte mbështetur gratë në themelimin e Shoqatës së re. Krenarja nisi rrugën e saj si aktiviste e të drejtave të grave gjatë punës si interprete e gjuhës së shenjave gjatë takimeve të Rrjetit të Grave të Kosovës. Ajo mori pjesë në takimin e saj të parë në vitin 2012 si interprete për Shoqatën e Personave të Shurdhër.
“Gjatë atij takimi mësove shumë informata të reja për OJQ-të dhe punën e tyre.” “Kur pashë mundësitë që rrjeti i ofron për gratë, vendosëm që të themelojmë një organizatë të re për gratë e shurdhëra,” tha ajo.

Krenarja e pranon që themelimi i një organizate të re nuk është punë e lehtë: hartimi i statutit, formimi i bordit si dhe çështjet e tjera administrative. Megjithatë, “stafi i RrGGK-së ishte gjithmonë i gatshëm për të më ndihmuar në lidhje me dokumentet, procedurat dhe çdo çështje tjetër,” tha ajo.

“Deri më tani, unë jam me të vërtetë e kënaqur me interesimin dhe bashkëpunimin e treguar për anëtaret e OJQ-së tonë,” tha Krenarja. “Së bashku ne jemi duke punuar në gjetjen e mënyrave për funkcionalizimin dhe financimin e ideve tona. Në këtë mënyrë ne do të jemi në gjendje t’i fuqizojmë gratë e shurdhëra në komunën tonë.”