Yllka mezi pret që të befasojë familjen e saj me gatimin e qofteve tradicionale. Ajo është e verbër dhe pak kush në Kosovë pret që ajo të gatuajë apo të bëjë ndonjë gjë tjetër në këtë drejtim.
Shoqata e të Verbërve në Prizren ka iniciuar për të fuqizuar gratë e verbëra si të bëhen të pavarura. Përmes programit të tyre "Të mësojmë të gatuajmë", Yllka dhe nëntë gra të verbëra kanë mësuar të pregatisin ushqim në mënyrë të pavarur.
Kjo organizatë që është degë e Shoqatës Kombëtare të të Verbërve, ka për qëllim mbrojtjen e integritetit dhe të drejtave të personave të verbër, avancimin e arsimimit të tyre dhe integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.
“Natyrisht që është më e vështirë për ato që të mësojnë të pregatisin ushqim, pasi që ato duhet të mësojnë duke u bazuar në prekje", tregon Miradije Buçaj, drejtorshë e organizatës. "Megjithatë, si një grua e verbër dhe nënë e dy vajzave, të përgatitësh ushqim, të kesh shtëpinë e pastruar, ti kesh rrobat e hekurosura si dhe të gjitha punët e tjera në shtëpi ti kesh në rregull, unë mund të them se nuk është e pamundur për këto gra që ti arrijnë të gjitha.”
Përveç mësimit të aftësive të reja, projekti gjithashtu mblodhi gratë së bashku dhe u mundësoi atyre që të krijojnë miqësi. Për gratë që jetën sociale e kanë tejet të kufizuar dhe kanë mungesë të mbështetjes nga familjet e tyre, inkurajimi nga mikeshat e reja, që ballafaqohen me çështje të ngjashme, ofron shumë shpresë për jetë.
“Kjo është një sfidë për ne", tregon Yllka. "Por kjo na ndihmon shumë dhe gjithashtu na ofron mundësinë që të bisedojmë me gratë dhe vajzat tjera të verbëra.”
Gratë që morën pjesë në këtë projekt janë të gatshme ti ofrojnë atë çka kanë mësuar edhe të tjerëve që janë të verbër.
“Ky projekt ishte një kënaqësi e veçantë dhe kam mësuar shumë", tregon Valmira Berisha, një pjesëmarrëse tjetër. "Familjet tona, nuk na lejojnë të gatuajmë sepse ne jemi të verbëra. Përvoja e të mësuarit është e jashtëzakonshme. Kam mësuar të gatuaj jo vetëm për veten time, por edhe për të tjerët. Unë jam bërë e pavarur.”