Shoqëria civile reagon kundër deklarimeve të prokurorit Rexhep Maqedonci

Me datë 27 mars përmes një kumtese për media Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së bashku me një  pjesë të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim në lidhje me deklaratat e prokurorit Rexhep Maqedonci, të publikuar me datë 25 mars 2019, në portalin Kallxo.com, më saktësisht artikullin “Prokurori Rexhep Maqedonci e quan ‘të poshtër’ studenten që u ankua për ngacmim seksual”.

Përmes kësaj letre shoqëria civile ka kërkuar shkarkimin e prokurorit të sipërpërmendur, për shkak të anshmërisë së treguar ndaj palës së akuzuar dhe trajtimit jo të denjë të viktimës në fjalë.

Aktivistët e shoqërisë civile konsiderojnë se deklarata e prokurorit është paragjykuese, ofenduese dhe për më tepër dekurajon viktimën dhe viktimat e tjera për të denoncuar raste të ngjashme në prokurori. Përmes këtyre qëndrimeve shoqëria civile asnjëherë nuk synon që të ndikojë në hetimin e pavarur të Prokurorisë së Shtetit.

Poashtu, shoqëria civile thekson se është shumë e rëndësishme që Prokuroria e Shtetit dhe Këshilli prokurorial i Kosovës të distancohen nga këto qëndrime publike të prokurorit Maqedonci.

Lexoni KËTU kumtesën e plotë në të cilën mund të gjeni edhe referenca juridike si në ligjet e Kosovës poashtu edhe në Direktivat e Bashkimit Evropian (BE).