Mbahet takimi i grupit avokues për ndarjen e parcelës për ndërtimin e strehimores në Mitrovicë

Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës Raba Voca në Mitrovicën e Jugut ka mundësi që së shpejti të bëhet me objekt të ri. Në Mitrovicë është mbajtur takimi i grupit avokues për ndarjen e parcelës për objekt me kapacitet prej 30 personash.

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të kësaj komune, Valdete Idrizi në një takim të organizuar nga organizata CECD – Friends në kuadër të projektit: “Jetë pa dhunë në familje – promovimi i mekanizmave mbrojtës të dhunës në familje”, kishte bërë të ditur se ky ndërtim është bashkëfinancim mes donatorit dhe komunës. 

Ajo tha se pret që punimet të fillojnë këtë vit. Ndërkaq, drejtoresha e kësaj qendre, Fidane Hyseni tregoi se strehimorja e tanishme ka mungesë të theksuar të hapësirës, sidomos pas rritjes së viktimave pas pandemisë.

Mirëpo, ndonëse në kushte të këqija, ajo tha se viktimat shprehen të kënaqura “duke qenë larg dhunuesve të tyre.” Ajo shtoi se vërshimet e fundit kanë krijuar edhe probleme me lagështinë, pasojë e së cilës ka edhe ndalje të rrymës.

Rritjen e dhunës në familje e konfirmoi edhe Drejtoresha Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut, Afërdita Mikullovci. Ajo tha se në 4 vitet e fundit ka pasur rritje të vazhdueshme të raportimeve për dhunë në familje.

Mikullovci tregoi se janë duke punuar në projekte vetëdijësuese dhe parandaluese për dhunën në familje, si dhe theksoi nevojën për trajtimin e dhunuesve dhe hapjen e një qendre rehabilituese për ta.

Përfaqësueset e Komunës së Mitrovicës dhe të shoqërisë civile kërkuan më shumë mbështetje edhe nga Komuna e Vushtrrisë e ajo e Skenderajt, duke marrë parasysh se viktimat e strehuara aty janë edhe nga këto dy vende.

Zyrtaret për Barazi Gjinore nga dy komunat në fjalë shprehën gatishmërinë e tyre për ta përkrahur këtë projekt dhe për të biseduar me krerët e komunave.

Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës Raba Voca ka realizuar këtë aktivitet si përfituese e grantit të Raundit të 17-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.