Më 8 qershor, Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova u takua me një grup studentësh nga Kolegji Universitar i Amsterdamit, Holandë.
Ky ishte viti i dytë që ky takim tradicional u mbajt përmes platformës Zoom. Megjithatë, kjo nuk i ndaloi studentët të merrnin pjesë në diskutimin interaktiv, të bënin pyetje dhe të ndanin pikëpamjet e tyre.
Fillimisht, Rogova foli për historinë e lëvizjeve për të drejtat e grave në Kosovë, për punën e bërë nga RrGK-ja që nga themelimi, si dhe për gjashtë programet kryesore të RrGK-së.
Ajo përmendi raportin e fundit hulumtues të RrGK-së “Një ulëse në tryezë”, i cili shqyrton rolet, kontributet dhe nevojat e grave lidhur me proceset e paqes dhe sigurisë në Kosovë
“Ky raport përshkruan rolin e vlefshëm të organizatave për të drejtat e grave në ndërtimin e paqes. Më duhet të them edhe një herë që organizatat lokale dhe aktivistet për të drejtat e grave kanë njohuritë dhe besimin e komuniteteve të tyre. Pa përfshirjen e tyre në të gjitha aspektet e ciklit të konfliktit, ne nuk do të parandalojmë konfliktin, e as të ndërtojmë paqe gjithëpërfshirëse”, theksoi ajo.
“Nuk ka paqe pa drejtësi”, shtoi Rogova.
Studentët e vlerësuan takimin, duke e parë atë si përvojë të vlefshme dhe mundësi të mrekullueshme për të kuptuar nga afër punën e RrGK-së, dhe gjithashtu rrjedhën e proceseve socio-kulturore gjatë periudhave të ndryshme në Kosovë.
Gjatë dy viteve të kaluara, Rogova ka diskutuar me studentët e këtij universiteti për të drejtat e grave dhe ndikimin e tyre në historinë e Kosovës dhe ndërtimin e paqes.
Lexoni KËTU më shumë rreth vizitës në vitin 2019.