Studentët nga Amsterdami çmojnë aktivizmin e RrGK-së

Më 9 qershor, një grup studentësh nga Universiteti i Amsterdamit, Holandë mbajtën takim online me Drejtoren Ekzekutive të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova.  

Tashmë disa vite me radhë studentët e këtij universiteti vizitojnë Kosovën dhe informohen nga afër me punën dhe aktivitetet e RrGK-së. Sado që kësaj radhe takimi u mbajt online për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, megjithatë diskutimi ishte frytëdhënës dhe u mirëprit nga studentët.  

Gjatë bashkëbisedimit me studentë, Rogova ka diskutuar lidhur me procesin e ndërtimit të paqes në Kosovë si dhe në rajon, si dhe lidhur me perspektivat e ndryshme politike dhe socio-kulturore. 

Po ashtu, pjesë e këtij diskutimi interaktiv ishin edhe aktivitetet e shumta të RrGK-së të ndërmarra për të përmirësuar dhe fuqizuar pozitën e grave dhe vajzave në vend.  

Përgjatë viteve të kaluara, Rogova diskutoi me studentët e këtij universiteti lidhur me të drejtat e grave dhe ndikimin e tyre në historinë e Kosovës dhe ndërtimin e paqes.  

Më shumë lidhur me vizitën e vitit 2019 mund të lexoni KËTU.