Studentët nga Universiteti i Vjenës mësojnë për punën e RrGK-së

Gjatë muajit janar, studentët nga Universiteti i Vjenës dhe Qendra Ndër-Universitare Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim zhvilluan një vizitë studimore në Kosovë. Në kuadër të kësaj vizite, studentët u takuan edhe me Igballe Rogovën, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), me 19 janar në Hotel Sirius në Prishtinë.

Ata shfaqën interesim që të mësojnë më shumë për përvojat e aktivisteve për të drejtat e grave në Kosovë, zhvillimet e fundit, sfidat për të drejtat e njeriut, paqen dhe sigurinë, si dhe për pengesat e mundësitë   në të ardhmen.

Znj. Rogova fillimisht foli për aktivizmin gjatë viteve të 90-ta në Kosovë, për shoqatën Motrat Qiriazi, si dhe për periudhën e luftës në Kosovë, kur kjo shoqatë nuk kishte ndërperë fare veprimtarinë e saj, për t’i ndihmuar kosovarëve të cilët kanë qenë të vendosur nëpër kampe si refugjatë. Të pranishmit patën mundësi poashtu të informohen lidhur me historinë e lëvizjes së grave në Kosovë, se si u themeluan organizatat e para për të drejtat e grave në Kosovë pas luftës, si dhe për historikun dhe punën e RrGK-së që nga themelimi i saj në vitin 2000 si rrjet jo-formal. Ndër të tjera znj. Rogova përmendi edhe raportet hulmtuese mbi dhunën në baza gjinore dhe ngacmimet seksuale në Kosovë; si dhe për iniciativat dhe hulumtimet lidhur me Monitorimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325 në Kosovë, rezoluta për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Duke u falenderuar për takimin, studentët u shprehën shumë mirënjohës për ligjëratën më informuese që kishin pasur gjatë qëndrimit në Kosovë.