Studentja nga Amerika vlerëson praktikën në RrGK, shpreh vullnet për të bashkëpunuar në të ardhmen 

19 vjeçarja Mira Tan nga Kalifornia, Shtetet e Bashkura të Amerikës (ShBA) ishte praktikante në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) për një muaj, përaktësisht në periudhën Qershor-Korrik 2019. Ajo është në vitin e dytë në Universitetin e Miamit, Ohio, duke kryer studimet me fokus në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Biznes Ndërkombëtar, gjithashtu ajo ndjek studimet edhe për gjuhën kineze.  

Tan bashkëpunoi për katër javë me RrGK-në falë mundësisë së ofruar nga ISLA, Live Learn Intern, një program ndërkombëtar i cili ofron mundësi praktike për të rinjtë, sipërmarrësit social dhe njerëzit të cilët duan të bëjnë ndryshime. Ky program bashkëpunimet i realizon me organizata lokale partnere në Afrikë dhe Europë 

Përgjatë kësaj kohe të shkurtë, por shumë produktive, ajo kryesisht ka kryer punë të ndërlidhura me aktivitetet në media sociale, duke përfshirë këtu Planin për Komunikimin me Publikun për dy ekspozitat e RrGK-së të titulluara “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”. Më saktësisht, ajo ka kontribuar në ekspozitat e mbajtura në Prishtinë dhe në Gjilan 

Lexoni KËTU broshurën e kësaj ekspozite. 

Tan ndan rrëfimin e saj për këtë përvojë, duke theksuar të mirat që ka përfituar nga puna në një vend tjetër dhe nga njohja e kulturës kosovare.  

“Kjo përvojë me RrGK-në ka pasur rol edukativ për mua, besoj sinqerisht se kjo përvojë është e një rëndësie të veçantë dhe se nuk ka asnjë vend në Amerikë ku do të mund të mësoja kaq shumë sa kam mësuar këtu”, u shpreh Tan.  

 

“Po ashtu, në vend se të qëndroja në zyrë gjithë ditën me punët e zakonshme me shkresaunë si praktikante kisha mundësinë që t’i përjetoja dhe t’i kuptoja gjërat nga afër, si në rastin e ekspozitës”, ka shtuar ajo.  

 

“Duke punuar nga afër me stafin e RrGK-së unë pata një mundësi të mrekullueshme për të përfituar një përvojë mbi atë se si duket dhe si vepron një lëvizje feministe, mirëpo më e rëndësishmja të njihja ndikimin e saj drejt përmirësimit dhe avancimit të të drejtave dhe interesave të vajzave dhe grave”, theksoi ajo.  

Tan e vlerëson këtë përvojë si të atillë që i zgjeron njohuritë e saj lidhur me çështjet e lidhura me barazinë gjinore. Ajo veçanërisht ka vënë në dukje përpjekjet dhe punën e RrGK-së për një Kosovë ku gratë dhe burrat janë të barabartë si dhe gëzojnë mundësi të barabarta në çdo sferë. Gjithashtu, momentalisht edhe ISLA e ka të renditur barazinë gjinore në mesin e sektorëve të saj kryesor.  

“Me të vërtetë e vlerësoj këtë përvojë dhe shpresoj se një ditë do të mund të kthehem që të vazhdoj bashkëpunimin me RrGK-në”, tha ajo. 

Tan pret me padurim që të ndajë këtë përvojë frymëzuese me kolegët dhe miqtë e saj, përvojë kjo e cila shton edhe një gurë në murin e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Amerikës.