Studentja nga Universiteti i Masaçusetsit kontribuon në kryerjen e analizës gjinore të Kosovës

 Andrea Pulido, nga Universiteti i Masaçusetsit në Amherst, këtë verë ishte vullnetare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) për të ndihmuar ekipin kërkimor për kryerjen e analizës gjinore të Kosovës. 
       Andea-s i pëlqeu shumë të mësonte për drejtësinë sociale në Kosovë, sidomos nga perspektiva gjinore. Disa prej ngjarjeve të saj të preferuara ishin: pjesëmarrja në FemArt (festivali artistik vjetor për shfaqjen e punëve krijuese me tema nga feminizmi), një konferencë e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore për “Politikat gjinore në shoqërinë civile dhe sektorin privat”, dhe një protestë për drejtësi për Zejnepe Berishën. 
 Ajo shfaqi interes edhe për të mësuar lidhur me problemet me të cilat përballen pakicat etnike në Kosovë. 
        “Përpara se të angazhohesha me Rrjetin e  Grave të Kosovës, isha informuar për çështjet gjinore në Kosovë, por nuk kisha hulumtuar asnjëherë se si ndikonin etnia dhe raca në këtë situatë.” 
         Gjatë pjesës më të madhe të kohës, Andrea punoi në profilin e analizës gjinore, në të cilin vlerësohen sektorë dhe institucione të ndryshme në Kosovë (p.sh. kujdesi shëndetësor, arsimi, demokracia/qeverisja, të drejtat e komunitetit “LGBTQI” dhe punësimi”. Përmes analizimit të të dhënave cilësore dhe sasiore, ajo mundi të vlerësonte pabarazitë gjinore Brenda sektorëve, me qëllim që më pas të hartoheshin rekomandime konkrete për Qeverinë e Kosovës dhe për Zyrën e Bashkimit Evropian. Krahas kësaj, ajo kreu edhe hulumtime dytësore lidhur me dhunën seksuale dhe atë me bazë gjinore në vendet e Ballkanit, për të ndihmuar me të dhëna përpjekjet avokuese të RrGK-së në Kosovë dhe Evropë. 
      Andrea planifikon ta përdorë këtë përvojë për të zgjeruar idenë e saj lidhur me atë se si duket feminizmi dhe aktivizmi. Ajo mendon se kjo përvojë e ka përgatitur për nxjerrjen e përfundimeve dhe rekomandimeve mbi baza gjinore. Në të ardhmen, ajo dëshiron të punojë për ndonjë organizatë jofitimprurëse siç është RrGK-ja, që arrijnë t’i mbeten besnike qëllimit të tyre fillestar: prioritizimit të të drejtave të grave në nivel lokal pa humbur vizionin e tyre. Ajo ndihet shumë e lumtur që ka punuar si vullnetare me një organizatë si RrGK-ja.