A jeni të apasionuar pas drejtësisë sociale, barazisë gjinore dhe hulumtimit të politikave të bazuara në dëshmi? Dëshironi të fitoni përvojë praktike në monitorimin dhe analizimin e buxheteve publike, si dhe në zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor (BPGj) në nivel lokal? Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) po kërkon studentë/e të motivuar/a për angazhim në praktikë hulumtuese, e cila do të fillojë në gusht 2026. Kjo praktikë do t’ju mundësojë të zhvilloni aftësi në hulumtim dhe analizë buxhetore, duke kontribuar njëkohësisht në promovimin e buxhetimit dhe politikëbërjes publike më transparente, më llogaridhënëse dhe më të ndjeshme gjinore.
Rreth projektit
Kjo praktikë është pjesë e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), që synon forcimin e BPGj-së dhe menaxhimit të financave publike në Kosovë. Përmes analizës së kornizës ligjore dhe politikave, shqyrtimit të buxheteve komunale, ky hulumtim do të nxjerrë rekomandime të bazuara në dëshmi për të përmirësuar integrimin e barazisë gjinore në buxhetimin publik dhe politikat fiskale.
Ky projekt synon të kontribuojë në objektivin e përgjithshëm të forcimit të qëndrueshmërisë, rolit dhe kapaciteteve të shoqërisë civile në avancimin e financave publike transparente, llogaridhënëse dhe të ndjeshme gjinore, në përputhje me agjendën e Kosovës për integrim dhe përafrim me BE-në. Për arritjen e këtij objektivi afatgjatë, projekti ka për qëllim të rrisë pjesëmarrjen, avokimin dhe ndikimin e RrGK-së dhe organizatave të ndryshme anëtare të saj në planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e buxheteve publike dhe reformave në menaxhimin e financave publike, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Përmes hulumtimit dhe avokimit të bazuar në dëshmi, projekti synon të përmirësojë ndarjen dhe përdorimin e burimeve publike, në mënyrë që buxhetet t’i adresojnë më mirë nevojat dhe prioritetet e grave dhe burrave nga grupet e ndryshme.
Përgjegjësitë dhe mundësitë gjatë praktikës
Praktikantët/et do të:
- ndjekin proceset e konsultimeve publike lidhur me buxhetet komunale.
- shqyrtojnë projektbuxhetet, kornizën afatmesme të shpenzimeve dhe propozimet vjetore buxhetore nga perspektiva gjinore.
- mbështesin përgatitjen dhe dorëzimin e komenteve dhe rekomandimeve të bazuara në dëshmi për institucionet publike gjatë proceseve të konsultimit buxhetor.
- mësojnë nga hulumtues/e me përvojë dhe ekspertë/e të politikave që punojnë në fushën e financave publike, barazisë gjinore dhe avokimit të bazuar në dëshmi.
- marrin mëditje simbolike për të mbuluar shpenzimet e praktikës (p.sh., transportin dhe ushqimin).
- kenë fleksibilitet në orarin dhe vendin e punës, duke u mundësuar të vazhdojnë ndjekjen e ligjëratave dhe t’i përmbushin obligimet universitare.
- mund ta përdorin këtë praktikë formale për të përmbushur kërkesat universitare për praktikë profesionale dhe përvojë praktike.
Kriteret e pranimit
Aplikantët/et duhet të:
- jenë të regjistruar/a në një program universitar ose të jenë diplomuar së fundmi në një fushë që lidhet me ekonominë, studimet gjinore ose fusha të ngjashme.
- kenë interesim të madh për barazinë gjinore dhe financat publike.
- zotërojnë njohuri dhe aftësi bazë në hulumtim, duke përfshirë metoda cilësore dhe/ose sasiore.
- kenë njohuri të gjuhës shqipe ose serbe dhe/ose angleze. Njohja e disa gjuhëve është përparësi, por nuk është e domosdoshme.
Procesi i aplikimit
Kandidatët/et e interesuar/a duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme në jobs@womensnetwork.org with the subject line me subjektin e emailit: “Research Internship GRB Application” deri më 17 gusht 2026.
- CV-në që përshkruan përgatitjen e tyre akademike dhe përvojën përkatëse.
- Një letër motivimi prej një faqeje, ku shpjegohet interesimi i tyre për RrGK-në, këtë praktikë dhe mënyrën se si ajo përputhet me qëllimet e tyre profesionale.
RrGK-ja zbaton parimin e tolerancës zero ndaj dhunës seksuale, abuzimit, ngacmimit dhe shfrytëzimit. Nga të gjithë kandidatët/et pritet të respektojnë standardet më të larta të integritetit, etikës profesionale dhe sjelljes, në përputhje me vlerat e RrGK-së.
Në frymën e barazisë, gjithëpërfshirjes dhe diversitetit, RrGK inkurajon të gjithë të aplikojnë, pa dallim gjinie, përkatësie etnike, moshe apo aftësie.
Misioni i RrGK-së është mbështetja, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave dhe interesave të grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pa dallim bindjeve të tyre politike, fesë, përkatësisë etnike, moshës, nivelit të arsimit, orientimit seksual ose aftësive. RrGK-ja e përmbush këtë mision përmes shkëmbimit të përvojave dhe informacionit, partneriteteve dhe rrjetëzimit, hulumtimit, avokimit dhe ofrimit të shërbimeve.
