Vlerësohet kontributi i RrGK-së në konsultimet e BE-së

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) edhe këtë vit është ftuar nga Bashkimi Evropian (BE), që të marrë pjesë në procesin e konsultimit me organizatat e shoqërisë civile, para takimit të përfaqësuesve të BE-së me Qeverinë e Kosovës, në kuadër të nënkomitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) për Drejtësi, Liri dhe Siguri (DLS).  

Në këtë takim, RrGK adresoi çështje të rëndësishme në raport me te drejtat e grave në Kosovë. Duke theksuar rëndësinë e masave që qeveria duhet t’i marrë nga perspektiva gjinore, gjatë rikuperimit prej pandemisë COVID-19. RrGK theksoi rëndësinë e një analize gjinore, që duhet t’u paraprijë të gjitha planeve strategjike të vendit përgjatë kësaj pandemie, në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore (LBGj) dhe Legjislacionin ndërkombëtar të aplikueshëm në Kosovë.  

Po ashtu, RrGK kërkoi nga BE që të inkurajojë Qeverinë e Kosovës për angazhim më të përshpejtuar në aspektin e të dhënave nga ekonomia joformale, për të identifikuar shkeljet e të drejtave të punës në sektorin privat si pasojë e mungesës së kontratave dhe punës së pa regjistruar. Mes tjerash, RrGK në kuadër të konsultimit paraprak me strehimoret, ofroi edhe disa rekomandime për trajtim më të mirë të viktimave të dhunës në  baza gjinore.  

Udhëheqësi i këtij takimi dhe njëherit shef i njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian (KE), David Cullen, siguroi se gjatë takimit të nën-komitetit për DLS, gjithsesi do të diskutohet për financimin e qëndrueshëm të strehimoreve në Kosovë. Ai shtoi se kjo çështje është kryesore, sidomos duke pasur parasysh gjendjen kritike dhe nivelin e dhunës në familje gjatë COVID-19. 

I pranishëm në këtë takim konsultues ishte edhe Korneel de Schamp, zyrtar i politikave në KE, i cili rikujtoi rekomandimet e RrGK-së të bëra para lansimit të Raportit të Progresit 2019. Duke specifikuar rekomandimet dhe rëndësinë e monitorimit të zbatimit të definicioneve të reja të Kodit Penal, sa i përket dhunës në familje. 

Nënkomiteti i MSA-së për Drejtësi, Liri dhe Siguri është një nga komitetet në kuadër të mekanizmave të MSA-së, përmes së cilit diskutohen prioritetet e qeverisë së Kosovës nga këto fusha.