YAHR angazhohet për arritjen e barazisë gjinore në vendimmarrje

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Shoqata e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YAHR), Youth Association for Human Rights përmes mbështetjes nga Fondi i Grave të Kosovës i RrGK-së ka realizuar me sukses nismën “Arritja e barazisë gjinore në proceset vendimmarrëse”.

Gjatë nismës gjashtëmujore kjo organizatë ka zhvilluar aktivitete të shumta me përfaqësues institucionalë për rritjen e vetëdijes për rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore dhe pjesëmarrjen e barabartë të grave në pozita vendimmarrëse në Komunën e Lipjanit.

Ta paktën 60 gra kanë përfituar direkt nga takimet dhe tryezat e organizuara nga YAHR duke u informuar në detaje për barazinë gjinore.

Gjithashtu është formuar një grup avokues për inicimin e hartimit të strategjisë komunale në komunën e Lipjanit me qëllim avancimin e pozitës së gruas në nivel lokal, në të cilin janë të përfaqësuar të gjitha partitë politike me nga një përfaqësues dhe organizata YAHR me dy përfaqësues. Grupi ka avokuar tek ekzekutivi për mbështetje në hartimin e kësaj strategjie.

Ndërsa përmes aktiviteteve siç kanë qenë takimet me kandidate për kuvend komunal të komunës së Lipjanit dhe përmes publikimit të infografikave për mbështetjen e grave kanë përfituar kandidatet gra për asambleiste, meqë pesë gra janë zgjedhur pa pasur nevojë për kuotën gjinore, ndërsa numri total i grave në Kuvendin Komunal të Lipjanit ka arritur në 12.

Në muajt në vijim, kjo organizatë do të zhvillojë aktivitete të shumta me përfaqësues institucionalë për rritjen e vetëdijes për rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore dhe pjesëmarrjen e barabartë të grave në pozita vendimmarrëse në Komunën e Lipjanit.

YAHR ishte përfituese e grantit të raundit të 15-të të Fondit të Grave të Kosovës mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes nismës së RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.