YAHR avokon për Buxhetim të Përgjegjshëm Gjinor në Komunën e Lipjanit

Që nga janari, Shoqata e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YAHR) ka punuar drejt institucionalizimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor (BPGj) në Kosovë.

Nisma e tyre “Monitorimi dhe analiza e hartimit të politikave lokale nga perspektiva gjinore”, përqendrohet në monitorimin e integrimit gjinor në institucionet lokale në Komunën e Lipjanit.

Për të arritur këtë, YAHR është takuar me disa përfaqësues të komunës së Lipjanit për të avokuar për një ndarje të drejtë të buxhetit komunal.

Së fundmi, YAHR lansoi raportin “Integrimi gjinor në institucionet lokale në Lipjan”. Ky raport rekomandon strategji që do të ndihmonin Drejtorinë e Administratës dhe Stacionin Policor të Kosovës në Lipjan për të avancuar barazinë gjinore, veçanërisht duke rritur përqindjen e grave në pozitat udhëheqëse.Tutje, raporti tregon se gratë mbeten të nënpërfaqësuara në pozita vendimmarrëse, në krahasim me burrat.

Raporti, ndër të tjerash, kërkon që në tre ose pesë vitet e ardhshme, secili institucion të kërkojë të rrisë numrin (dhe përqindjen) e grave në pozitat udhëheqëse, drejt arritjes së barazisë gjinore në përputhje me ligjin e Kosovës.

“Trajnimi mbi buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, për ne si organizatë, ka qenë një nga shtyllat kryesore për të ngritur çështjen e integrimit gjinor në Komunën e Lipjanit,” thotë Ferdian Shala nga YAHR.

“Njohuritë mbi BPGj që kemi fituar gjatë trajnimit të organizuar nga Rrjeti Mbikëqyrës i Buxhetit Gjinor (RrMBGj) na ka ndihmuar të organizojmë trajnime me grupin e grave anëtare të asamblesë së Komunës së Lipjanit mbi rëndësinë e politikave të përgjegjshme gjinore.” Më tej, ai shton se “buxhetimi i përgjegjshëm gjinor ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në Komunën e Lipjanit, por në veçanti në ngritjen e nevojës së përgjithshme shoqërore që të respektojmë të drejtat më themelore të njeriut, të cilat parashihen edhe me kushtetutë. Mbi të gjitha, buxhetimi i përgjegjshëm gjinor do të thotë ndarje e barabartë e përgjegjësive.”

Duke kujtuar se BPGj është obligim ligjor, këto përpjekje janë në frymën e mbështetjes së institucioneve për të zbatuar buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në Kosovë,

Sipas praktikave më të mira në buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, analiza gjinore e nevojave, siç është kjo e kryer nga YAHR, gjithmonë duhet të informojë të ardhurat dhe shpenzimet e qeverisë. Andaj, kjo analizë është tejet e rëndësishme për mbështetjen e Komunës së Lipjanit në procesin e planifikimit të buxhetit afatmesëm dhe të atij vjetor për vitin 2022.

Në përgjithësi, përpjekjet e YAHR kanë marrë vëmendjen e institucioneve rreth rëndësisë së integrimit gjinor dhe përfshirjen e grave.

Kjo iniciativë erdhi pas pjesëmarrjes së YAHR në një trajnim mbi buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, organizuar nga Rrjeti Mbikëqyrës i Buxhetit Gjinor, një iniciativë rajonale, anëtare të së cilës janë si RrGK po ashtu edhe YAHR.

Kjo nismë financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes RrMBGj. 

Kujtojmë se muajin e kaluar, YAHR u anëtarësua në Rrjetin e Grave të Kosovës.