ZBE dhe RrGK organizuan konsultim për Analizën Gjinore

Sot, me 20 korrik në Qendrën Kulturore dhe Informative të BE-së në Prishtinë, u mbajt konsultim me palët e interesit mbi draftin e Analizës Gjinore në Kosovë të punuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).
Analiza Gjinore në Kosovë do ta informojë mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, veçanërisht lidhur me programet e Instrumentit për Para-Anëtarësim (IPA), duke ofruar informatat më të reja mbi gjendjen e burrave dhe grave në sektorët e ndryshëm. Është e rëndësishme për ZBE-në që ky proces të jetë shumë pjesëmarrës dhe të përfshihen akterë të ndryshëm nga qeveria dhe shoqëria civile. Andaj në këtë takim morrën pjesë zyrtarë të institucioneve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë, ku shfaqën interesimin e tyre mbi këtë analizë gjinore.
Në hapje të këtij takimi, znj. Selma Cekic-Dincsoy nga Zyra e BE-së në Kosovë, cilësoi se, “kjo Analizë Gjinore është e rëndësishme në programin tonë dhe na mundëson më mirë të bëjmë specifikime, ku programi ynë si qëllim kryesor ka identifikimin e pabarazive kyqe gra-burra në Kosovë, RrGK ka bërë dokument të mirë dhe cilësor që do ta diskutojmë sot.”
Ndërsa, znj. Nicole Farnsworth nga RrGK, në kuadër të kësaj Analize Gjinore, shfaqi gjetjet dhe rekomendimet kryesore lidhur me pabarazinë gjinore në Kosovë përfshirë sektorë të ndryshëm siç janë: Sundimi i ligjit, Qeverisja, Arsimi, Punësimi, Konkurenca dhe Inovacioni, Bujqësia, Energjia, Mjedisi, Transporti dhe Shëndetësia.
Të pranishmit në këtë diskutim e pritën shumë pozitivisht këtë draft-analizë ku paten rastin të diskutojnë dhe të shprehin disa nga komentet dhe rekomandimet e tyre.
“Ju përgëzoj për punën që keni bërë sepse do ta shfrytëzojmë të gjithë për të përmirësuar gjendjen e gruas në Kosovë”, u shpreh Yllka Soba prej Fondacion Kvinna till Kvinna.
Më konkretisht, pjesëmarrësit u dakorduan për të inicuar hapa dhe për të dhënë kontributin e tyre që ky draft-analizës gjinore të konkretizohet dhe të jetë lehtë i shfrytëzueshëm nga të gjithë.
Ky takim u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.