“Kultura për të Gjithë” organizon Ekspozitën e Veprave Artizanale

Vikendi i dytë i muajit shtator po shënon mbajtjen e “Ekspozitës së veprave artizanale” të organizuar nga projekti Kultura për të gjithë” (Culture for all) të financuar nga BE. Kjo ekspozitë u organizua pas një vlerësimi të veprave artizanale të Kosovës nga disenjatorja dhe trajnerja franceze, Caroline Winckel e angazhuar nga ky projekt.
    Fillimisht, gjatë muajit dhjetor të vitit 2013, Znj. Wrinckel mbajti një trajnim intenziv pesë ditorë për 23 gra zejtare dhe disejnatore nga e gjithë Kosova, trajnim ky që kishte si fokus ngjyrimin kreativ të veprave të pjesëmarrëseve.
     Si rezultat i këtij trajnimi, secila pjesëmarrëse tashmë ka caktuar një linjë të re produktesh të cilën e kanë zhvilluar gjatë periudhës 4-6 mujore. Këto produkte të cilat i përkasin linjës së aksesorëve të modës dhe artikujve dekorativ për shtëpi, po paraqiten tani në këtë ekspozitë e cila do të vazhdojë të jetë e hapur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë deri me 14 shtator. 
     “Çdo panair që organizohet, pa marrë parasysh nga cili institucion, është shumë i rëndësishëm për gratë e Kosovës, për arsye se është i vetmi vend ku ato po munden ta ekspozojnë punën e tyre, dhe normal që edhe të përfitojnë ekonomikisht prej saj,” thotë Selvete Gashi nga OJQ Lulebora, organizatë pjesëmarrëse në ekspozitë dhe njëherit edhe organizatë anëtare e RrGGK
      Trajnerja Wrinckel, gjatë ekspozitës do të përzgjedhë produktet që ndërthurin më së miri zejtarinë, kreativitetin dhe dizajnin dhe do t’i ekspozojë ato në një kënd të veçantë që do të quhet “Pavijoni i kreativitetit”, i cili do të mirëpresë edhe krijime nga vendet e tjera si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Franca dhe Turqia. 
     “Rëndësia e këtij aktiviteti ka shumë aspekte: së pari atë ekonomik që iu mundëson grave që të përmbushin nevojat e tyre primare jetësore përmes punës artizanale; së dyti atë kulturorë për t’i dhënë më shumë vlera dhe kreativitet bashkëkohorë artizanatit dhe vlerave tradicionale; si dhe aspektin social pasi që ne konsiderojmë që artizanati është një nga sektorët e artit që bashkon njerëzit për shkak të kujtimeve të përbashkëta dhe mënyrave të jetesës,” thotë Lila Skarveli, Udhëheqëse e Ekipit në “Kultura për të gjithë”. “Pra, ne insistojmë shumë që t’i japim kulturës në Kosovë rolin e saj social dhe ekonomik ashtu si në çdo vend tjetër dhe bazuar në vlerësimet që kemi bërë për artizanatin dhe industrinë kreative në Kosovë, ne mendojmë që ky është një sektor shumë premtues që ia vlen të promovohet dhe mbështetet.”
     Një numër i përzgjedhur i pjesëmarrëseve në këtë ekspozitë do të marrin pjesë në një udhëtim studimor në Paris, para fundit të këtij viti. 
     Qëllimi i projektit “Kultura për të gjithë” është rritja e zhvillimit të sektorit kulturor në Kosovë, me synim zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.