Takimi filloi duke rikujtuar trajnimin e Shqipe Malushit që mbajti për anëtaret në Durrës, e cila thoshte që gjithmonë duhet t’i mendojmë gjërat pozitive që i kemi në jetë, në mënyrë që t’i largojmë negativet.
Igballe Rogova, Drejtoreshë Ekzekutive e RrGGK, pasi mirëpriti të gjitha 70 pjesëmarrëset, foli për mundësinë që Shqipe Malushi të vijë në Kosovë për 3 muaj për të vizituar organizatat anëtare në zyret e tyre. Në mënyrë që të bëhet një planifikim sa më i mirë, u kërkua nga anëtaret të dërgojnë një kërkesë me nevojat që ato kanë për trajnimet që organizon Shqipe Malushi.
Anëtaret u informuan më detajisht për vizitën që i’u bë Znj. Mimoza Kusari – Lila në zyrën e saj në Kuvendin Komunal të Gjakovës, nga një delegacion i përbërë prej anëtareve të Bordit dhe stafit të RrGGK. Ato uruan Znj. Kusari – Lila për fitoren dhe diskutuan, e u dhanë ide të ndryshme nga të dy palët për fuqizimin e grave në Gjakovë.
Mimoza Paçuku, Koordinatore e Fondit të Grave të Kosovës (FDG) në RrGGK, prezentoi vlerësimet që janë përgaditur për secilën organizatë përfituese në FDG (për më shumë detaje i keni të bashkangjitura në e-mail).
Në vazhdim, Igballe Rogova theksoi rëndësinë e përgjegjësisë së përfitimit të granteve dhe nënshkrimit të kontratës. Secila organizatë që merr grant ka përgjegjësi para Rrjetit, para donatorëve, dhe para komunitetit ku vepron. Ajo theksoi që në të ardhmen duhet të kemi më shumë kujdes për përgjegjësinë, imazhin dhe për keqpërdorime, pasi që qëllimi i FDG nuk është vetëm të ofroj grante, por edhe t’ju ndihmojë organizatave në ngritjen e kapaciteteve të tyre për të ardhmen. Gjithashtu u diskutua çështja e organizatave që kanë biznese e që aplikojnë në FDG. Meqenëse FDG duhet të fokusohet tek përkrahja e projekteve avokuese (avokim, ndryshim të politikave etj.), FDG nuk duhet të marrë kahje të përkrahjes së bizneseve. Deri tani, një pjesë e organizatave përfituese kanë qenë në fushën e artizanateve, bujqësisë, dhe punë dore. Pasi që brenda Planit Strategjik të RrGGK 2011-2014 njëri nga programet është Fuqizimi Ekonomik, FDG ka vazhduar të përkrahë këto projekte gjatë vitit 2013.
Të gjitha organizatat që kanë biznese, poashtu edhe të pranishmet në sallë u informuan për krijimin e G7, një grup prej 7 grave afariste të fuqishme. Ky grup, përkrahur nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhe Ambasada Amerikane, ka krijuar Odën Ekonomike të Grave si dhe janë në fazat e fundit të krijimit të Rrjetit Afarist të Grave për biznese.
Ndër të tjera anëtaret u informuan që në takimin e ardhshëm në muajin mars, RrGGK së bashku me anëtaret, do të punojnë në krijimin e Planit Strategjik të RrGGK 2015-2018. U kërkua nga anëtaret që paraprakisht të interesohen për nevojat dhe kërkesat e komunitetit ku ato veprojnë. Andaj, u sugjerua që programi mbi Fuqizimin Ekonomik, brenda Planit Strategjik të RrGGK, të mos fokusohet në përkrahjen direkte të bizneseve, por në avokimin për të drejtat e tyre. RrGGK do të bashkëpunoj me Rrjetin e Grave Afariste i cili do t’i përkrahë drejtpërdrejtë këto organizata. Të gjitha anëtaret e pranishme unanimisht u pajtuan që ky program të ndryshohet me sugjerimet e dhëna. Gjithashtu u vendos që FDG të fokusohet në përkrahjen e projekteve avokuese gjatë viteve në vijim.
Gjatë takimit, anëtaret vendosën të shprehin përkrahjen e tyre për kërkesat e studenteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pasi që konsiderojnë që këto kërkesa janë të drejta dhe se UP nuk duhet të jetë i politizuar, ai duhet tu takojë vetëm studentëve. Kumtesa për media e përgaditur gjatë takimit, u dërgua menjëherë tek mediat (gjeni të bashkangjitur kumtesën).
RrGGK ndau kohën të përgëzoj dhe të falenderoj Lina Andeer, përfaqësuesja për Kvinna till Kvinna (KtK) në Kosovë, për besimin e saj në Rrjet dhe për përkrahjen e vazhdueshme nga ajo dhe KtK. Lina nuk ishte e pranishme në takim, mirëpo të gjitha anëtaret shprehën kënaqësinë që ato kanë pasur të punojnë me të. Lina do të përfundoj punën e saj në KtK në fund të muajit mars, ndërsa KTK do të përfundojë misionin në Kosovë në fund të vitit 2014.