Feministet e Reja të Kosovës do t’i bashkangjiten Karavanit Ndërkombëtar

 Pas një pauze të vogël verore, Iniciativa për Fuqizimin e Vajzave të Kosovës po riaktivizohet, duke e nisur me një diskutim joformal që angazhoi një koalicion më të gjerë të feministeve të reja më 26 gusht në Prishtinë. Feministet e reja, në muajt e ardhshëm kërkojnë të zgjerojnë koalicionin duke avokuar për çështjet me rëndësi për feministet e Kosovës.

    Takimi fillestar kishte një mysafire speciale: Milena Abrahamyan nga Young Feminists of Europe Network e cila ndau informatën lidhur me “Karvanin Feminist” ndërkombëtar, që do të mbahet prej 8 marsit deri me 17 tetor 2015. Në solidaritet me Marshimin Botëror të Grave (World March of Women), Karavani do të kalojë kufijë Evropian (e ndoshta edhe kufinj të tjerë). Tema kryesore e karavanit, siç u cek nga Milena, është “Globalizimi i Solidaritetit”. Ai do të mundohet të bashkojë feministë dhe grupe feministe të ndryshme në fusha të ndryshme. Ai do të vë në pah vështirësitë me të cilat përballen gratë në fusha të ndryshme, do të identifikojë ngjashmëritë dhe të inkurajojë bashkëpunimin në luftimin e çështjeve të pabarazisë.
     Udhëtimi do të dokumentohet me anë të një emisioni në radio, në bashkëpunim me radio emisione në të gjitha vendet, dhe si pjesë e tij do të jetë një film dokumentar. Rrugëtimi i Karavanit nuk është caktuar ende përfundimisht. Ai do të fillojë në Angli ose në Turqi dhe pastaj do të vizitojë vende të ndryshme në mbështetje të ngjarjeve të planifikuara nga aktivistët në ato vende. Karavani patjetër do të përfundojë me një ngjarje të madhe në Portugali. Feministët mund t’i bashkohen Karavanit për cilëndo pjesë të udhëtimit, ose gjatë gjithë kohës.
       Një debat i nxehtë mes pjesëmarrëseve të mundshme nga Kosova ngriti çështjen nëse burrat dhe personat të cilët identifikohen me gjini të tjera, mund të marrin pjesë në Karavan. Debati përfundoi me pyetjen nëse ky është "një Karavan feminist apo i grave?" Milena do të parashtrojë këtë pyetje dhe çështje tjera që u diskutuan te organizatorët e Karvanit. Një përgjigje përfundimtare do të jepet në faqen e tyre dhe/ose në faqen e Facebook, ku të interesuarit mund të mbledhin informata shtesë lidhur me Karvanin, posa ato të jenë në dispozicion.
    Pjesëmarrëset e Kosovës ishin shumë të interesuara për të mësuar më shumë për Young Feminists of Europe Network dhe planet e ardhshme për Iniciativën për Fuqizimin e Vajzave të Kosovës. Në mbledhjen e ardhshme informale dhe argëtuese, të planifikuar për të martën, me 2 shtator  në “Si n’Bahçe” në Prishtinë, feministet e reja do të diskutojnë ide specifike, aktivitete për iniciativat avokuese dhe fuqizimin e feministeve të reja në Kosovë. Ejani bashkohuni me ne!
     P.S. Diskutimet do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës në javët që do të vijnë – kështu që nëse ju nuk mund të vini në Prishtinë, mos u shqetësoni – ne do të vizitojmë zonën tuaj së shpejti!