Më 5 dhjetor të vitit 2007, RRGGK publikoi raportin mbi ‘Monitorimin e Implementimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë’ në Grand Hotel Prishtina. Ky raport hulumtues ishte rezultat i intervistave me figura kyçe të jetës publike në Kosovë, përfshirë politikanët, aktivistët e shoqërisë civile, stafin e UNMIK-ut dhe persona kyç tjerë në pozita udhëheqëse në institucione Kosovare. Ky raport dokumenton dhe vlerëson nivelin e zbatueshmërisë së Rezolutës 1325 mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë në
Kosovë.
Persona të shumtë ishin të pranishëm në këtë publikim, përfshirë organizatat anëtare të RRGGK-së, mediat, zyrtarë nga institucione qeveritare dhe përfaqësues të zyrave ndërkombëtare në Kosovë. Mes folësve gjatë këtij evenimenti ishin edhe Menaxherja Rajonale e UNIFEM-it, Znj. Osnat Lubrani, Menaxherja e Projektit të UNIFEM-it për Kosovën, Znj. Flora Macula, Shqipe Krasniqi nga Agjencia për Barazi Gjinore, Drejtoresha Ekzekutive e RRGGK-së, Znj. Igballe Rogova, dhe Dafina Beqiri, hulumtuese që kontribuoi në përpilimin e këtij raporti.
Pjesëmarrësit vendosën të përgatisin një plan pune në bashkëpunim me ekspertë ligjorë dhe të çështjeve gjinore, duke u bazuar në rekomandimet që dolen nga ky raport. RRGGK më pas organizoi një grup punues që përpiloi planin e punës, i cili thekson hapat konkretë që duhet ndërmarrë nga institucionet Kosovare në drejtim të implementimit të Rezolutës 1325. RRGGK mbajti një takim më 8 mars, në Grand Hotel, gjatë të cilit në praninë e organizatave anëtare, ekspertëve për çështje gjinore dhe përfaqësuesve qeveritarë u finalizua ky plan.