Rrjeti i Grave Viziton Kryetaren e Komunës së Gjakovës, Znj. Mimoza Kusari – Lila dhe Takon Përfaqësueset e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, më 20 Janar.

Rrjeti i Grave Viziton Kryetaren e Komunës së Gjakovës, Znj. Mimoza Kusari – Lila dhe Takon Përfaqësueset e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”

Një buqetë me lule iu dhurua gruas së emëruar sipas një luleje: Mimoza Kusari – Lila.
Ashtu siç lulet sjellin pranverën, edhe zgjedhja e saj si kryetare e komunës, solli pranverë jo vetëm në zemrat e qytetarëve të Gjakovës, por edhe në zemrat e përkrahësve të barazisë gjinore, duke ri-shprehur besimin e tyre se gratë mund t’ia dalin e të përzgjedhen në pozita vendim-marrëse.
Një delegacion i Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) i përbërë nga anëtare të Bordit dhe stafit të RrGGK, vizitoi gruan e parë kryetare të një komune në Kosovë, Znj. Mimoza Kusari – Lila në zyren e saj në Kuvendin Komunal të Gjakovës.
     Fillimisht, ato i uruan znj. Kusari – Lila për fitoren në zgjedhjet e fundit lokale, duke thënë se “znj. Kusari Lila tashmë është një kryetare “legjendare”, e cila ka thyer akullin, duke u bërë gruaja e parë kryetare e një komune në Kosovë.
Gjatë takimit u bisedua dhe u dhanë ide të ndryshme nga të dy palët lidhur me atë se si do të mund të ndikohej në fuqizimin ekonomik të grave në Komunën e Gjakovës; si mund të ndihmohej në ringjalljen e trupës teatrore profesioniste të Gjakovës; si të ruhej trashëgimia kulturore e Gjakovës; për hapat që mund të ndërmerren në inkurajimin e pjesëmarrjes së grave që mirren me artizanate në panairin e artizanateve që mbahet çdo vit në Kosovë; për buxhetimin gjinor dhe përkrahjen e organizatave të grave në Komunën e Gjakovës.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës shfaqi mirënjohjen e saj për punën e RrGGK-së, duke treguar gadishmëri bashkëpunimi në të ardhmen.
“Do të jem në gjendje që të motivojë gratë e Komunës së Gjakovës për më shumë rol në vendimmarrje dhe përfshirje në sfera të ndryshme të jetës, sidomos në fushën e biznesit,” tha Znj. Kusari – Lila.
Në këtë takim, RrGGK hapi edhe temën e shpalljes zyrtare të “Shtëpisë Muze” të familjes Qerkezi, me ç’rast përfaqësueset e RrGGK-së u ndjenë të lehtësuara kur vërejtën gadishmërinë dhe planin ekzistues të Znj. Kusari – Lila për të ndërmarrë hapa konkret në këtë drejtim.
“Përveç shpalljes muze, kjo shtëpi do të ketë edhe personin që do të bëjë mirëmbajtjen e shtëpisë dhe do të përkujdeset për guiden,” tha Mimoza Kusari – Lila, Kryetare e Komunës së Gjakovës.
Pas përfundimit të takimit me Znj. Kusari – Lila, delegacioni i RrGGK-së takoi përfaqësueset e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, takim ky që u mbajt në shtëpinë muze të familjes Qerkezi në Gjakovë.
Përveç shprehjes së mirënjohjes së lartë për sakrificën e kësaj familjeje në luftën e fundit në Kosovë, u bisedua edhe për ndërmarrjen e një aksioni të përbashkët nga RrGGK dhe Shoqata “Thirrjet e Nënave”.
Së bashku, të dy organizatat vendosën që më 8 Mars 2014, të ndërmarrin një aksion në rrugë, që sërish të ngrisin zërin për çështjen e personave të pagjetur në Kosovë.
“ Kjo ishte një ditë shumë e bukur dhe e frytshme,” cilësoi njëra nga anëtaret e delegacionit të RrGGK-së. “Jam e lumtur që isha pjesë e këtij delegacioni.”