Tre projektligje ekzisuese për të drejtat e njeriut janë duke u rishikuar gjatë kësaj kohe: Projektligji për Barazi Gjinore, Projektligji kundër Diskriminimit dhe Projektligji për Avokatin e Populliti. Së bashku, këto tri projektligje do të përbëjnë një “Pako Ligjore për të Drejtat e Njeriut”, e cila do të jetë një gur themel i legjislacionit të të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës.
Gjatë diskutimeve të mëparshme në muajin nëntor, RrGGK me kujdes i ka rishikuar këto projektligje dhe ka ofruar komente të hollësishme mbi to në Zyrën Ligjore tek Zyrja e Kryeministrit të Republikës së Kosovës më 23 shkurt.
Disa nga komentet kryesore për Projektligjin për Barazi Gjinore ishin që të përfshihen definicione të duhura të “burrave” dhe ‘grave”, duke i dalluar me “gjininë” dhe “seksin”, të cilat janë përdorur shumë shpesh si sinonime në draftin e parë. Një nga komentet e RrGGK ishte që duhet të jetë e qartë se "gjinia" i referohet roleve sociale dhe përgjegjësive të caktuara për gratë dhe burrat nga ana e shoqërisë, ndërsa "seksi" i referohet dallimeve biologjike (p.sh., mashkull, femër). Kjo është e rëndësishme për tu qartësuar në ligj, pasi që gjinia është e caktuar nga shoqëria ndërsa seksi është biologjik. Normat gjinore mund të ndryshojnë, derisa ndryshimi i seksit kërkon një ndërhyrje mjekësore (kirurgjike). RrGGK shtoi se përcaktimi i këtyre termave është veçanërisht i rëndësishëm në lidhje me identitetin gjinor dhe mbrojtjen e personave me identitete të ndryshme gjinore. Në këtë drejtim, RrGGK ka rekomanduar të futet përkufizimi për personat "transgjinorë" dhe "transeksualë", si dhe ka siguruar mbrojtjen e tyre në artikuj më vonë.
RrGGK gjithashtu ka propozuar qartësime përmes një teksti për definicionin e ‘Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor” (BPGj). Neni për BPGj brenda këtij projektligji inkurajon ministritë dhe komunat të mbledhin të dhëna të ndara sipas gjinisë, të bëjnë analiza gjinore në të gjitha fazat e procesit të buxhetimit (analiza, planifikimi, zbatimi, monitorimi dhe vlerësimi), dhe të përfshijnë BPGj-në në dokumentet e buxhetit.
Një tjetër sugjerim i rëndësishëm i bërë nga RrGGK ishte qartësimi i rolit të Agjencionit për Barazi Gjinore dhe rritja e rolit dhe përgjegjësisë së tij në shqyrtimin e të gjitha ligjeve, politikave dhe programeve nga një perspektivë gjinore. RrGGK sugjeroi që ligji të ketë më shumë "dhëmbë" duke rritur gjobat, përmes qartësimit të procedurave për raportim dhe kërkimit të drejtësisë për shkeljet e të drejtave si dhe duke ofruar kompensim për personat të drejtat e të cilëve janë shkelur. Kjo gjithashtu do të nxiste kta persona, për të raportuar shkeljet e të drejtave të tyre. Pa një nxitje të tillë, ky ligj rrezikon të mos zbatohet por të mbetet vetëm deklarativ, problem ky që është parë deri tani me ligjin aktual.
Komentet e RrGGK mbi Projektligjin kundër Diskriminimit përfshijnë harmonizimin e disa prej definicioneve të tij, sikurse për Ngacmimet apo Ligjin për Barazi Gjinore, dhe thjeshtimin e gjuhës në tërë ligjin në mënyrë që të bëhet më i qartë për publikun e gjerë.
Një shembull i kësaj është fakti se në projektligjin e tanishëm, "Veprimi afirmativ" ishte shumë paqartë i definuar, andaj edhe mund të keqinterpretohej si një justifikim për diskriminim në raste të caktuara. RrGGK ka propozuar sqarimin e këtij definicioni në mënyrë që të mos keqpërdoret. Për më tepër, RrGGK ka propozuar rritjen e gjobave ashtu që ligji të zbatohet siç duhet. Megjithatë, gjoba nuk duhet të jetë shumë e lartë për të inkurajuar personat të raportojnë diskriminimin.
Së fundi, komentet mbi Projektligjin për Avokatin e Popullit ishin kryesisht të lidhura me gjuhën, pasi që shpesh Avokatit të Popullit “Ombudsperson-it” i është referuar si “ai” ose "Ombudsman-i". RrGGK ka sugjeruar të përfshihet perspektiva gjinore.
RrGGK shpreson se komentet tona do të merren parasysh në finalizimin e Pakos Ligjore për të Drejtat e Njeriut.