Nxënësit debatojnë mbi ngacmimet seksuale

Me datën 14 maj, përfaqësuese të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), KFOR-it, dhe grupit aktivist feminist FemAct, u takuan me nxënsësit e shkollës “Xhevdet Doda” për të diskutuar një temë që i brengosë të gjithë: ngacmimet seksuale.
    Në bazë së vizitave që ka bërë Ekipi Ndërlidhës Monitorues i forcave Italiane në shkollat e Prishtinës dhe diskutimeve me nxënësit për çështjet që i shqetësojnë ata, ngacmimi seksual në rrugë ka dalur si një prej temave më shqetësuese, sidomos për vajzat. Edhe RrGGK në takime të shumta me vajzat dhe djemtë kishte identifikuar ngacmimet seksuale si njërin prej problemeve më të shpeshta me të cilin përballen të rinjët në Kosovë. Përpos RrGGK dhe KFOR-it, në takim ishte edhe Zyrtarja për Barazi Gjinore në Komunën e Prishtinës, si dhe dy aktiviste feministe të grupit FemAct, Adea Kondirolli dhe Erleta Morina.
    Nga vet shkolla, morën pjesë mbi 30 nxënës dhe drejtori i shkollës Prof. Azem Jaha. Fillimisht u shfaq video e fushatës “Take Back the Night”, e cila u përdor si pikënisje e debatit. Debati u moderua nga Donjeta Morina nga RrGGK.
    Nxënësit e shkollës së mesme “Xhevded Doda” ishin shumë pregaditur dhe mendjehapur lidhur me temën. Ata kritikuan dukurinë e ngacmimeve seksuale, duke e cilësuar si një dukuri të tmerrshme, por shumë të përhapur sidomos në Prishtinë. Ata pranuan që është dukuri të cilën duhet ta luftojmë bashkarisht që prej fëmijërisë. Përfaqësueset e RrGGK dhe FemAct ishin shumë të kënaqura me opinionet e nxënësve. “Gjithmonë kemi pasur probleme gjatë fushatës me persona të cilët mendonin që ngacmimet seksuale nuk janë dukuri e përhapur dhe janë të parëndësishme, apo që nuk janë problem aq i madh. Është shumë ndjenjë e mirë dhe inspiruese të shohim nxënës si ju të cilët zotohen për të kuftuar këtë fenomen dhe e kuptojnë problematikën e tij kaq shumë,” tha Donjeta Morina gjatë debatit.
    Në fund të debatit nxënësit dhanë disa rekomandime për mënyrat se si ata mendojnë që mund të luftohet dukuria e ngacmimeve seksuale. Ndër to ishte edhe rekomandimi që përveç mekanizmave institucional të cilët duhet të krijohen, poashtu të punohet edhe me prindërit e nxënësve që të kenë raporte më të afërta me fëmijët e tyre. Në këtë mënyrë fëmijët do të kenë hapësirë për të diskutuar me prindërit e tyre çështje të ndjeshme siç është ngacmimi seksual.
    “Për mua personalisht këto takime janë shumë të rëndësishme. Ju rekomandoj të vazhdoni me nisma të tilla, sepse më japin kurajë ta luftoj këtë dukuri, e cila është tabu dhe nuk diskutohet publikisht,” tha një nxënëse e klasës së 11-të, në fund të debatit.
     RrGGK poashtu është duke zhvilluar një hulumtim në tërë Kosovën për dhunën në familje dhe ngacmimet seksuale, të gjeturat e të cilit do të kontribuojnë në hartimin e Strategjisë së re Kombëtare dhe Planit të Veprimit 2016-2020 kundër dhunës në familje. RrGGK dhe partnerët e saj, do të fillojnë një fushatë të gjërë ndërgjegjësimi, pasi të publikohen rezultatet e hulumtimit.
 
FemAct është një grup i aktivisteve të rijnë të cilët punojnë drejt një shoqërie të barabartë.