Qytetarët dhurojnë mijëra fustane për instalacionin “Mendoj për Ty”

Qytetarët dhurojnë mijëra fustane për instalacionin “Mendoj për Ty”

Që nga 9 majii e deri me 6 korrik, Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës ka organizuar një sërë aktivitetesh për të kontribuar në instalacionin artistik “Mendoj për ty” të artistes Alketa Xhafa-Mripa, i cili i dedikohet grave viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Aktivitetet për grumbullimin e fustaneve u organizuan pothuajse në tërë Kosovën, ku u mblodhën mbi pesë mijë fustana, të cilët me 12 qershor u varën në stadiumin e Prishtinës.
   “Ky fund ka një histori të mbyllur nga pranvera 1998. Dardania I Pejë” ishte mbishkrimi në fustanin e kaltër të varur në rendin e katërt të Stadiumit. Ky fustan bart me vete historinë misterioze të gruas që e dhuroi atë, por nuk është ky i vetmi që bartë me vete një histori të veçantë. Secili nga ata fustana të varur ka në vete një histori: dikush kishte dhuruar fustanin e nusërisë, dikush tjetër fustanin e nënës e cila i kishte vdekur 20 vite më parë dhe ajo e kishe ruajtur me dashuri, dikush  kishte dhuruar fustanin më të veçantë që kishte në dollapin e garderobës, e tërë kjo për të mbështetur të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
    “Ne gjetëm mbështetjen përtej kufijve në Tiranë, në Nju Jork, në Londër, gjetëm përkrahjen e artistëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe organizatave të grave të cilat që në ditët e para u bënë zëri i të mbijetuarave që ju ofruan atyre mbështetje të palëkundur. Sevdija, Igballja, Feridja, Mirlinda, Veprorja, Kadirja e shumë e shumë gra të tjera, ju falemnderit” u shpreh ndër të tjerash Presidentja Jahjaga.