Anëtaret e RrGGK mësojnë se si dhe pse duhet përdoren mediat digjitale

Me 16 nëntor, RrGGK organizoi punëtorinë mbi “Teknologjinë e informimit dhe komunikimit (TIK) për avokim medial”. Udhëheqës të punëtorisë ishin Doruntinë Demiri, Zana Cana dhe Genc Bokshi nga IPKO Foundation. Duke ofruar trajnerët për këtë punëtori, Ipko Foundation, përkrahu RrGGK-në në ngritjen e kapaciteteve të anëtareve të saj. 
   Punëtoria u hap nga Doruntinë Demiri nga Ipko Foundation, e cila foli gjerësisht për parimet e mediave digjitale, strategjitë dhe ndikimin e tyre.  
      “Nëse kohë më parë avokimi për çështje të ndjeshme e të një interesi më të gjerë shoqëror është bërë në formë protestash e takimesh të përbashkëta, sot fuqia e avokimit në botë koncentrohet shumë në një trajtë tjetër – atë të shpërndarjes së informacionit nëpërmjet mjeteve digjitale,” u shpreh  Demiri.
   Ajo u shpjegoi pjesëmarrëseve se për të pasur një avokim të suksesshëm duhet përdorur mediat. Kjo pasi që përmes mediave mund të arrihet një grup më i gjerë njerëzish, si dhe mund të inkurajohen të tjerët të jenë pjesë e atij procesi. Më shumë informata rreth kësaj strategjie mund t’i gjeni duke klikuar këtu
   Ndërsa në pjesën e dytë të punëtorisë pjesëmarrëset punuan në grupe duke mësuar më shumë se si t’i përdorin mjetet dhe kanalet e mediave sociale, si dhe duke planifikuar hapa konkret për iniciativat e tyre në të ardhmën.  
Kjo punëtori u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.