Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë, i themeluar nga Presidentja Atifete Jahjaga, me 30 mars, mbajti takimin përmbyllës në të cilin u shpalos puna e tij dy vjeçare.
Në këtë takim morrën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, ambasadave dhe shoqërisë civile. Ndërsa folësit ishin: Presidentja e Kosovës, zn. Atifete Jahjaga; Minstri i Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi; Ministri i Shëndetësisë, z. Imet Rrahmani; Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi; Shefi i Misionit në Ambasadën e SHBA, z. Greg Delawie; Udhëheqësja e UNWOMEN në Kosovë, zn. Flora Macula; Drejtorja Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT), zn. Feride Rushiti; Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), zn. Igballe Rogova; Drejtorja Ekzekutive e Medica Gjakova, zn. Mirlinda Sada dhe Drejtorja Ekzekutive e Medica Kosova, zn. Veprore Shehu.
Presidentja Jahjaga, gjatë fjalimit të saj tha se gjatë kësaj pune dyvjeçare të Këshillit, u thyen tabutë dhe shoqëria jonë u kthye në përkrahëse të fuqishme të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Me anë të Këshillit u bë shumë punë, u vendosen objektiva afatgjate për trajtimin e drejtë dhe dinjitoz për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke i ofruar edhe vendeve të tjera të botës që përballen me pasoja të ngjashme lufte, shembullin e mirë se si një shoqëri duhet t’i trajtojë të mbijetuarit e saj, duke e marrë nën udhëheqjen e institucionit më të lartë të vendit, atë të presidentit.” u shpreh zn. Jahjaga.
Presidentja Jahjaga poashtu i ndau mirënjohje RrGGK-së, Medica Kosovës, Medica Gjakovës, QKRMT-së dhe Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave për kontributin e dhënë në afirmimin e statusit të viktimave në kuadër të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës Seksuale gjatë Luftës.