Zyra e BE-së në Kosovë do të zbatojë Planin e Veprimit Gjinor të BE-së

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka filluar procesin e vënies në jetë të planit të saj për zbatimin e Planit të ri të Veprimit Gjinor të BE-së (PVGj i BE-së) për periudhën 2016-2020. Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) është duke ofruar përkrahjen e saj teknike në këtë proces, si pjesë e kontratës për shërbime me Zyrën e BE-së në Kosovë, duke përfshirë identifikimin e objektivave dhe treguesve duke u mbështetur në analizën gjinore dhe në konsultime me palët e interesit.
     Më 21 shtator të vitit 2015, Komisioni Evropian (KE) dhe Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) ka miratuar PVGj-në e re, të titulluar “Barazia Gjinore dhe Fuqizimi i Grave: Transformimi i jetës së vajzave dhe grave përmes Marrëdhënieve të Jashtme të BE-së për periudhën 2016-2020.” Më pas, më 26 tetor të vitit 2015, KE e miratoi atë. PVGj-ja është një përpjekje për të siguruar barazi gjinore në të gjitha aktivitetet dhe marrëdhëniet e jashtme të BE-së. Për herë të parë, PVGj-ja aplikohet për të gjitha misionet e BE-së në të gjitha rajonet e botës, si dhe në të gjitha politikat e BE-së, duke përfshirë zhvillimin, politikat e fqinjësisë, tregtisë, ndihmave humanitare, etj. Në konkluzionet e dala pas miratimit, KE theksoi se ishte e domosdoshme që të gjitha misionet e BE-së kudo në botë të raportojnë çdo vit lidhur me rezultatet e arritura në lidhje me objektivat për ndryshimin e kulturës institucionale dhe të paktën me një objektivë për secilën fushë tematike. Kjo ndryshon nga PVGj-ja për periudhën 2010-2015 për të cilin raportimi ishte vullnetar.
     Ndryshime të tjera nga PVGj-ja e mëparshme e periudhës 2010-2015 është se PVGj-ja e re përqendrohet në tri fusha tematike, në vend se të përdoret qasja “të gjitha në një thes”. Fushat tematike përfshijnë: integritetin fizik dhe psikologjik; të drejtat ekonomike dhe sociale; dhe dëgjimin dhe pjesëmarrjen. Krahas prioriteteve tematike, ndryshimi i kulturës institucionale është një prioritet horizontal dhe i detyrueshëm, i cili adreson lidershipin, raportimin sistematik, përqendrimin tek rezultatet, koherencën dhe koordinimin. 
     Tani, delegacionet e BE-së, duke përfshirë edhe atë në Kosovë, duhet të përzgjedhin dhe identifikojnë synimet për periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2020, duke u mbështetur në prioritetet dhe kapacitetet vendore. Indikatorët gjithashtu duhet të jenë në harmoni me Qëllimet e OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm (QZHQ) dhe kornizën e rezultateve.
     Për sa i përket prioriteteve tematike, RrGGK-ja ka kryer një analizë gjinore në Kosovë, duke u mbështetur gjithashtu edhe tek burimet ekzistuese të të dhënave dhe përvojën e madhe që RrGGK në punën e saj lidhur me barazinë gjinore në Kosovë. RrGGK-ja i ka përdorur këto informata për të hartuar një draft dokument të politikave për BE-në, me rekomandime lidhur me atë se cilat objektiva potenciale të parashikuara nga Brukseli do të mund të konsiderohen për t’u zbatuar nga ana e misionit të BE-së në Kosovë. Ky dokument i politikave dhe objektivat potenciale janë prezantuar gjatë një konsultimi me palët kyçe të interesit dhe ekspertët gjinorë në Kosovë, më datën 27 qershor. Ky konsultim dhe të dhënat hyrëse kanë kontribuar në përzgjedhjen e objektivave përfundimtare për zbatim në Kosovë:
 
  1. Çlirimi i vajzave dhe grave nga të gjitha format e dhunës kundër tyre (VAWG – violence against women and girls), si në sferën publike, ashtu edhe në atë private.
  2. Qasje e barabartë për vajzat dhe gratë në të gjitha nivelet e arsimit cilësor dhe arsimit dhe aftësimit profesional (AAP), pa diskriminim
  3. Qasje e barabartë e grave në shërbimet financiare, burimet prodhuese, duke përfshirë tokën, tregtinë dhe sipërmarrjen.
  4. Të drejta dhe mundësi të barabarta për gratë për të marrë pjesë në proceset e politikave dhe qeverisjes në të gjitha nivelet.
  5. Organizatat e grave dhe OSHC-të e tjera si dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, të cilët punojnë për barazi gjinore dhe fuqizimin dhe të drejtat e grave dhe vajzave, mund të punojnë lirshëm dhe janë të mbrojtur nga ligji.
     Këto objektiva janë identifikuar duke u mbështetur në kriteret sipas të cilave ato duhet të kenë lidhje me rrethanat aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore në Kosovë, duke u mbështetur në analizat aktuale gjinore; dhe do të duhet të ketë të dhëna të mjaftueshme nga studimet kontrolluese me qëllim që të mundësohet monitorimi dhe vlerësimi i ecurisë. Në objektivat që bëjnë pjesë në ndryshimet institucionale, dhe që janë të detyrueshme dhe duhet patjetër të zbatohen edhe në Kosovë, përfshihen:
 
  1. Rritja e koherencës dhe koordinimit midis institucioneve të BE-së dhe me shtetet anëtare.
  2. Lidershipi i dedikuar për barazinë gjinore dhe fuqizimin e vajzave dhe grave duhet të krijohet në institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare.
  3. Alokimi i burimeve të mjaftueshme nga ana e institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare në funksion të zbatimit të angazhimeve të BE-së për politikat gjinore.
  4. Prova të qëndrueshme për çështjet gjinore, që përdoren si informata hyrëse për të gjitha shpenzimet e jashtme, programimin dhe politikë-bërjen e BE-së.
  5. Rezultatet e matura për gratë dhe vajzat dhe burimet që alokohen për ta gjurmuar ecurinë në mënyrë sistematike.
  6. Krijimi i partneriteteve midis BE-së dhe palëve të interesuara, në funksion të ngritjes së kapaciteteve kombëtare për barazinë gjinore.                                                                
 
     Aktualisht, Zyra e BE-së në Kosovë është duke u përkrahur nga RrGGK, e cila po punon për të krijuar indikatorët specifikë, caqet dhe aktivitetet për arritjen e këtyre objektivave nëpërmjet programimit në të tashmen dhe në të ardhmen. Një tjetër konsultim do të mbahet me të gjitha palët e interesit në fillim të shtatorit, me qëllim që plani të finalizohet më së largu deri nga mesi i shtatorit. Raportimi vjetor për zbatimin e tij do të fillojë këtë vit.